Amendimi i Braçes: Tatimfitimi 15-30% i bixhozit në resorte. Sterkaj: Të hiqet absolut nga çdo institucion turistik

Deputeti i PS Erion Brace nëpërmjet një amendimi kërkon që tatimfitimi ndaj bixhozit në resorte apo hotele me 5 yje të jetë në masën 15-30 për qind. Ky amendim është rrëzuar me 59 vota kundra në seancën plenare të kësaj të hënë.
Por ai që abstenoj në votim ishte deputeti socialist Paulin Stërkaj, i cili kërkoj edhe fjalën për të arsyetuar mosvotimin. Ai ka kërkuar heqjen në mënyrë absolute të të gjitha bixhozeve në çdo institucion turistik.
“Nuk jam as me Braçen për këtë amendament, por nuk jam as me ministrin, se unë këtë nuk e kuptoj. Heqja e lojërave të fatit është hequr në masë absolute tek sporti, bixhozi dhe lojërat elektronike, por është dhënë në hotele me 4 apo 5 yje. Pra këtu nuk është hequr bixhozi për njerëzit, këtu bixhozi ekziston. Nëse bixhozi hiqet, të hiqet absolut në çdo institucion turistik. Jam kundër Braces që ti vëmë 30% sepse ata do fitojnë. Unë do isha të hiqen krejt bixhozet, mos stimulohen as në hotele me 5 yje as me 6 yje, për shkak se këtu po ndajmë shtresat. Të pasurit paskan të drejtë të luajnë, që shkojnë në hotele me 5 apo 6 yje. Ndërsa të varfërit s’paskan të drejtë të luajnë me lojërat e fatit”.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit.
“Është e kotë të diskutohet masa e tatimfitimit apo heqja e bixhozit në resorte, kur ne ende nuk kemi asnjë hotel me 5 yje në vend”, tha Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.