AMF informon mbi projektrregulloren: ‘Për sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore e furnizuese’

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Për sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore e furnizuese”. Qëllimi i kësaj rregulloreje, e hartuar në zbatim të ligjit “Për Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive” është përcaktimi i kërkesave në lidhje me sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore dhe furnizuese të licencuara.
Sipas njoftimit sipërmarrje furnizuese e investimeve kolektive ёshtё sipërmarrja me pjesëmarrje të hapur e investimeve kolektive ose nënfondi i saj që investon jo më pak se 85% të aktiveve të veta në pjesëmarrje, në një tjetër sipërmarrje me pjesëmarrje të hapur të investimeve kolektive ose nënfondi (“sipërmarrja kryesore e investimeve kolektive ose nënfondi kryesor”).
“Sipërmarrje kryesore ёshtё sipërmarrja e investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur ose nënfondi i sipërmarrjes së investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur, e cila ka të paktën një sipërmarrje furnizuese ndër pjesëmarrësit e saj dhe e cila vetë nuk është sipërmarrje furnizuese dhe nuk zotëron pjesëmarrje në një sipërmarrje furnizuese,” shkruhet në njoftim.
AMF bwn me dije se në këtë projektrregullore, ndër të tjera, trajtohet koordinimi ndërmjet sipërmarrjes kryesore dhe asaj furnizuese dhe ky koordinim parashikon lidhjen e një marrëveshje ndërmjet sipërmarrjes kryesore dhe furnizuese. “Nëse sipërmarrja kryesore dhe sipërmarrja furnizuese ose nënfondet administrohen nga e njëjta shoqëri administruese, kjo marrëveshje mund të zëvendësohet me procedura të brendshme të ushtrimit të biznesit.”
Sipas AMF e rëndësishme në koordinimin ndërmjet sipërmarrjes kryesore dhe asaj furnizuese është përcaktimi i kohës së llogaritjes dhe publikimit të vlerës neto të aktiveve. “Rregullorja parashikon që shoqëria administruese e fondeve të sipërmarrjes ose nënfondit kryesor dhe sipërmarrjes ose nënfondi i saj furnizues të ndërmarrin masat e duhura për të bashkërenduar kohën e llogaritjes dhe publikimit të vlerës neto të aktiveve të tyre, duke përfshirë publikimin e çmimeve të shitjes”, njofton AMF.
Sipas informacionit tw publikuar në këtë rregullore, është parashikuar gjithashtu që nëse sipërmarrja kryesore dhe ajo furnizuese nuk kanë të njëjtin depozitar, atëherë depozitarët duhet të lidhin një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit për të siguruar që të dy të jenë në gjendje t’i kryejnë detyrimet e tyre. Gjithashtu sipas AMF projektrregullorja parashikon të njëjtat kërkesa për lidhjen e një marrëveshje ndërmjet audituesve dhe përmbajtjen e saj edhe për rastet kur sipërmarrja kryesore dhe ajo furnizuese nuk kanë të njëjtin auditues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.