AMF-ja takim me misionin e Bankës Botërore – Fokus, ecuria tregjeve financiare dhe projektligji i fondeve private të pensioneve!
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, zhvilloi një takim me ekipin e misionit të Bankës Botërore për sektorin financiar ku çështjet kryesore të diskutuara kishin të bënin me ecurinë e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit, masat për menaxhimin e rrezikut të katastrofave, projektligjin e ri për fondet private të pensioneve, si edhe zbatimin e projektit të asistencës me mbështetjen e Bankës Botërore, të financuar nga SECO.
Sipas informacionit të publikuar Mete theksoi se përgjatë dy viteve të fundit Autoriteti, i mbështetur edhe nga ekspertiza e Bankës Botërore, ka realizuar riformatimin e pjesës kryesore të ligjeve të tregjeve nën mbikëqyrje, si edhe është në fazën finale të plotësimit të akteve nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve. Ai bën me dije gjithashtu se aktualisht është hartuar projektligji i ri për fondet private të pensioneve, i cili realizon një përafrim me Direktivën IORP II të Bashkimit Europian, si edhe synon të zgjerojë më tej mundësitë e zhvillimit të tregut të fondeve private të pensioneve.
Sipas njoftimit përfaqësuesit e misionit të Bankës Botërore vlerësuan se përgjithësisht efektet e pandemisë në tregjet financiare ishin të kufizuara dhe situata për momentin parashikohet e qëndrueshme. “Megjithatë, situata do të monitorohet në vijimësi, nëse do të ketë efekte të mundshme në të ardhmen dhe gjithashtu, ata shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Autoritetin në funksion të projekteve të asistencës,” shkruhet në njoftim.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.