AMF nxjerr për konsultim publik: Rregulloren tranzitore për Fondin e Kompensimit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë me dije se në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, ka hartuar projekt rregulloren “Për mënyrën e administrimit dhe pagesave të dëmeve Fond Kompensimi me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 32/2021”i cili do t’i nënshtrohet procedurës së konsultimit publik përpara se të miratohet nga Bordi i AMF-së.
Sipas njoftimit kjo projekt rregullore përcakton rregullat e administrimit dhe pagesave të praktikave, objekt i Fondit të Kompensimit, me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
“Të gjitha kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” trajtohen, paguhen dhe rimbursohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit sipas legjislacionit në fuqi në datën e aksidentit. Ndërsa, kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti pas 1 korrikut 2021 trajtohen, paguhen dhe rimbursohen sipas dispozitave të Ligjit nr. 32/2021, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit””, shkruhet në njoftim.
AMF njofton se për ngjarjet e ndodhura përpara hyrjes në fuqi të Ligjit 32/2021, nëse pala e dëmtuar i drejtohet shoqërisë së sigurimit, kjo e fundit e drejton tek Byroja, e cila regjistron kërkesën për dëmshpërblim dhe fillon procedurat e trajtimit dhe pagesës sipas legjislacionit dhe akteve rregullatore në fuqi në datën e aksidentit.
Po sipas informacionit të publikuar nga AMF në bazë të ndryshimeve ligjore, në aksidentet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara, që ndodhin pas datës 1 korrikut, të dëmtuarit i lind e drejta që kërkesën për kompensim ta bëjë te shoqëria e sigurimit ku ai ka prerë policën e tij të sigurimit dhe rasti i dëmshpërblimit do të trajtohet direkt nga ajo, sipas procedurave dhe afateve në fuqi të përcaktuara edhe për trajtimin e dëmeve të tjera. AMF informon se kjo do të sjellë reduktim të kohës së trajtimit dhe pagesës së dëmeve, pasi procedurat do të ndiqen direkt nga shoqëritë e sigurimit, pa qenë e nevojshme që të kalojnë nëpërmjet Byrosë.
Sipas AMF në projekt rregulloren e nxjerrë për konsultim nga AMF është përcaktuar edhe një dispozitë e fundit, ku Byroja Shqiptare e Sigurimit më datë 30 qershor 2021, gjeneron të dhënat analitike të të gjithë kërkesave për dëmshpërblim të regjistruara në Regjistrin Elektronik të Dëmeve Fond Kompensimi dhe më tej në datën 1 korrik i depoziton ato në Autoritet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.