AMF/ Pagesa e dëmeve motorrike – Qytetari gjurmon proçesin online
Qytetarët që kanë pësuar një dëm të mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm motorik tashmë do të kenë mundësinë ta ndjekin procedurën dëmshpërblimit online. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndërtuar regjistrin e integruar për të gjitha dëmet e ndodhura për policat e sigurimeve motorike, për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Ky regjistër online u mundëson qytetarëve një numër identifikimi unik, që ata të ndjekin procedurën e pagesës së dëmit.
Në momentin e raportimit të dëmit pranë shoqërisë së sigurimit, qytetari i siguruar do të pajisjet me një kod unik, që gjenerohet automatikisht nga sistemi elektronik i AMF-së. Me anë të kodit unik të dëmit, qytetari do të mund të kontrollojë statusin e dosjes për dëmshpërblim nga shoqëria e sigurimit, për të qenë i përditësuar se në ç’fazë ndodhet shqyrtimi i dëmit.
AMF bën gjithashtu të ditur se po punon edhe për ndërtimin e një sistemi tjetër online, ku në bazë të numrit të shasisë do të bëhet listimi i dëmeve të mëparshme të automjetit. Kjo do të shërbejë që qytetarët të njohin historikun e aksidenteve të mjetit motorik. Vitin e kaluar, hyri në fuqi sistemi bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike. Sistemi do të mundësojë që, nga prilli i këtij viti, policat e reja të sigurimit të fillojnë të përllogariten mbështetur në historikun e dëmeve të viti të parë. Drejtuesit që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë më shumë, ndërsa ata që nuk kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim më të ulët për sigurimin vjetor të mjetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.