AMF: Tregu i sigurimeve përmirësoi treguesit e mbulimin me rezerva gjatë vitit 2020
Shoqëritë e sigurimit gjatë vitit 2020 kanë rritur treguesit e mbulimit me rezerva për të shlyer në kohë detyrimet. Sipas informacioneve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të depozituara në Kuvend si pjesë e raportimit vjetor, treguesi i aktiveve në mbulim të provigjoneve për prime dhe pagesë dëmesh ka shënuar rritje për të dy segmentet e tregut të sigurimeve. Ky tregues pasqyron sesa janë të mbuluara provigjonet (rezervat) me aktive cilësore dhe të përshtatshme, që bëjnë të mundur shlyerjen ose mbulimin e detyrimeve në kohë dhe pa vonesa.
Për tregun e Jo-Jetës, treguesi i aktiveve në mbulim të rezervave është rritur, nga 121.2% në vitin 2019 në 131.6% në vitin 2020. Ndërsa për tregun e Jetës, ky tregues është rritur nga 120.8% në vitin 2019 në 130.2% në fund të vitit 2020.
Gjithashtu, përmirësim ka patur edhe në raportin provigjone/prime në nivel tregu, i cili shpreh rezervat e tregut për pagesën e dëmeve në raport me përgjegjësitë që kanë marrë përsipër shoqëritë e sigurimit përmes primeve të nënshkruara. Ky raport ka arritur në 126.4% në fundit të vitit 2020. Vlen të theksohet se ky tregues ishte në nivelet 97.1% në vitin 2018. Përmirësimi i treguesve të mbulimit me provigjone për shoqëritë e sigurimit u vu në dukje edhe në raportin e Bankës Botërore, të publikuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.