Amnisti për fshatarët, kultivues të thjeshtë të kanabisit – Propozimi i Tritan Shehut, deputetit të PD-së

Deputeti i Partisë Demokratike, dalë fitues nga qarku i Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka bërë ditën e diel një propozim lidhur me kultivuesit e kanabisit.
Sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti duhet të dakordësohen për një amnisti të gjerë që prek të gjithë fshatarët, kultivues të thjeshtë të kanabisit. Thirrja e tij drejtues pushteteve kryesore konsiston që të liron, si ata individë që janë tashmë të dënuar për këtë vepër penale, po ashtu edhe ata që janë në proces gjyqësor.
“Burgjet janë me mijëra të tillë gjynahqare, qindra janë në arrati, mijëra janë nën terror nga shtetarë; të cilëve u kanë paguar dhe “haracin”, shkruan Shehu në profilin e tij në Facebook.
Propozimi i deputetit 68-vjeçar të qarkut Gjirokastër vjen në një kohë kur diskursi politik po bëhet në favor të lehtësimit të masave kundër shkelësve të tillë.
Në kuvend ka tashmë edhe një nismë, nga deputeti i PS-së Saimir Tahiri, ku ndër të tjera parashikohen ndryshime në kodin penal për çështjet e kultivimit dhe konsumit të lëndëve narkotike. Projektligji i Tahirit parashikon futjen e shkallëve të dënimit për veprën e kultivimit, pasi aktualisht dënohen njësoj si autorët që kanë kultivuar 1 ose 2 bimë në oborrin e shtëpisë, ashtu edhe autori që ka kultivuar 2 mijë apo më shumë bimë narkotike.
Pranimi i një amnistie të tille, do të sillte një lehtësim të ngarkesës së institucioneve të vuajtjes së dënimit, por do të përbënte edhe një lehtësim për buxhetin e shtetit. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, për rreth 6 mijë të burgosur në të gjithë sistemin, kostoja ditore për secilin është rreth 2 mijë lekë të reja.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.