“Amnistia” në Kuvend – Drafti i faljes së borxheve, vlera 91 miliardë lekë
Vitet e fundit janë miratuar një sërë ligjesh që kanë falur detyrime tatimore, doganore, kontribute dhe gjoba. Shpesh efektet e këtyre faljeve nuk janë pasqyruar në regjistrat e tatimpaguesve dhe borxhet nuk janë fshirë nga sistemet tatimore doganore duke mos arritur objektivat e pritshme të këtyre ligjeve.
Qeveria ka ndërmarrë një nismë tjetër për falje detyrimesh, e cila është kritikuar jo pak nga ajo pjesë e komunitetit të biznesit që ka qenë e ndershme në pagimin e detyrimeve fiskale. Kjo nismë e qeverisë tashmë është përfshirë në procedurat parlamentare për të nisur diskutimet në Komisionet Përgjegjëse.
Sipas relacionit që shoqëron këtë draft, në total borxhi tatimor dhe doganor potencialisht ulet me 91 miliard lekë. Vlera e taksave të mjete të përdorura që çregjistrohen sipas te dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor është përllogaritur rreth 11.9 miliardë lekë.
Po sipas relacionit janë të ndara me periudha të gjitha mënyrat e pagesave dhe të faljeve. Gjatë dy viteve të fundit 2015-2016 administratat tatimore dhe doganore kanë ndërmarrë një sërë masash veprimi kundër informalitetit në vend. Ky plan kundër informalitetit është shoqëruar në të njëjtën kohë me një sere masash për thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave fiskale.
Kjo duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesat e sipërmarrjes në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe miradministrimit tatimor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.