Amnistia, përfitojnë 164 të burgosur! Gjonaj: ”Prioritet gratë e të miturit, përshjashtohen kriminelët e shkaktarët e dëmeve nga tërmeti”
164 të dënuar mes të cilëve 22 gra dhe 1 i mitur do të përfitojnë nga amnistia për të burgosur që aktualisht vuajnë dënimet. Drafti përfundimtar për amnistinë është paraqitur të mërkurën në Komisionin Parlamentar të Sigurisë nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, sipas së cilës do të përfitojnë lirinë personat me dënime deri 2 vjet për meshkujt dhe 3 për femrat, ndërkohë që ulje do të përfitojnë të njëjtat kategori si dhe të burgosurit meshkuj mbi 60 vjeç dhe femrat mbi 50 vjeç.
Nga ana tjetër Ministria është kujdesur të përjashtohen nga amnistimi personat e dënuar për krime të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë publike, përgjegjës për krime kundër jetës, shëndetit, pasurisë, terrorizmi, organizatat kriminale, por edhe personat përgjegjës për dëmet në jetë njerëzish dhe në dëme materiale të shkaktuara nga tërmetet.
Disa prej deputetëve kërkuan që të mos jetë 30 shtatori i vitit 2019 afati përfundimtar i përfituesve nga amnistia, ndërkohë që ngritën edhe akuza se po lirohen nga burgjet të dënuar për krime të rënda.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.