Amnistia, si bëhet çregjistrimi i automjeteve edhe kur s’keni dokumentet? Nëndrejtori i Transporteve shpjegon procedurat
Qytetarët që kërkojnë të përfitojnë nga amnistia e taksave të makinave duhet të paraqiten pranë drejtorive rajonale për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit. Formulari do të plotësohet për makinat që kanë shkuar për skrap, që janë shkatërruar ose janë dëmtuar, të cilat do të çregjistrohen pasu u falen taksat e papaguara. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor u shpërndau dje drejtorive rajonale formularin e vetëdeklarimit që duhet të plotësohet nga qytetarët.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Transportit Gani Çupi sqaron për gazetën “Panorama” se formulari do të plotësohet nga qytetarët është i vlefshëm për procedurën e heqjes nga qarkullimi të makinave të shkatërruara apo që kanë shkuar për skrap, që u falen taksat. Sipas Çupit, qytetarët pasi të kenë plotësuar formularin, vetëm me mjet identifikimi, përfitojnë faljen e taksave dhe çregjistrimin e mjetit.
“Për mjetet që nuk janë në qarkullim, qytetari duhet të deklarojë dhe arsyet, nëse mjeti ka shkuar për skarpim, është shkatërruar ose dëmtuar apo është bllokuar nga prokuroria. Po ashtu në formular qytetari duhet të shënojë dokumentet që ka dorëzuar. Në rast se nuk disponon dokumentet e mjetit, ai duhet të deklarojë mungesën e tyre. Formulari i deklarimit nënshkruhet nga qytetari pasi janë dorëzuar dokumentet që qytetari disponon, atij do t’i lëshohet një vërtetim i cili konfirmon se mjeti i tij është hequr nga qarkullimi.
Në procesin e çregjistrimit të mjeteve që kanë shkuar për skarpim janë shkatërruar apo dëmtuar, qytetari mund të paraqitet vetëm me një dokument identifikimi dhe të dorëzojë dokumentet që ai disponon. Në rast se nuk zotëron dokumentet e mjetit vetëm me kartën e identitetit dhe plotësimin e formularit, mjeti quhet i çregjistruar pasi i fshihen detyrimet “shprehet Çupi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.