Analiza / A ka lidhje skepticizmi mbi vaksinën me pakënaqësinë ndaj klasës politike?

Në Francë, çdo fëmijë është i detyruar të bëjë 11 vaksina. Nëse prindërit duan që fëmijët e tyre të ndjekin shkollën, ose të marrin pjesë në aktivitete jashtëshkollore, ato duhet të pranojnë. Nuk bëhen lëshime për dyshuesit e vaksinës.
Të hënën qeveria dhe autoritetet shëndetësore të Francës po përshpejtojnë vaksinimin e vendit ndaj Covid-19 – një proces që komplikohet nga skepticizmi i përhapur rreth vaksinave, që përfshinë teoritë e zakonshme të konspiracionit.
Për javë të tëra, sondazhet kanë sugjeruar që deri në 60% e qytetarëve francezë nuk dëshirojnë të vaksinohen. Ndërsa operacioni i vaksinave të qeverisë hyn në javën e tij të tretë, shifrat zyrtare tregojnë se që nga e Shtuna të paktën 93,000 njerëzve u është dhënë një vaksinë – një numër shumë më i ulët se në vendet e tjera të Evropës.
Laurent-Henri Vignaud, një historian i shkencës, libri Antivax i të cilit shqyrton skepticizmin e vaksinës që nga shekulli i 18-të, thotë se kur vjen puna për këtë çështje, nuk duhen marrë parasysh sondazhet.
“Ekziston një ndryshim shumë i madh midis asaj që thonë francezët dhe asaj që ata bëjnë,” tha ai për Guardian. “Sondazhet nuk pasqyrojnë se çfarë ndodh kur njerëzit e dinë se ku do ta bëjnë vaksinën, çfarë do bëjnë, si, kur dhe pse.”
Dyshuesit e vaksinave kanë ekzistuar për aq kohë sa vaksinat, por prej vitesh sondazhet sugjerojnë se Franca ka më shumë se shumica e fqinjëve të saj evropianë.
Prof Jocelyn Raude, një ekspert mbi sjelljen shëndetësore École des Hautes Études en Santé Publique, i cili ka studiuar lëvizjen anti-vaksinë, thotë se deri në 2005 sondazhet tregonin mbështetje në 90% për vaksinat, “e cila duket e pabesueshme sot”. Sidoqoftë, që në fillimin e shekullit 21, u mbollën farat e para të dyshimit mbi vaksinimin.
Në vitet 1990, një fushatë masive për të vaksinuar fëmijët francezë kundër hepatitit B përkoi me një kërcim të rasteve të sklerozës së shumëfishtë, megjithëse studimet nuk gjetën kurrë një lidhje bindëse midis të dyve.
Sidoqoftë, Raude tha se ishte skandali H1N1 i vitit 2009, në të cilin qeveria mashtroi masivisht duke mbi-porositur 94 milion doza vaksine me një kosto prej 869 milion €, që nxiti skepticizmin e sotshëm ndaj vaksinës.
Ministria e Shëndetësisë më vonë anuloi më shumë se gjysmën e porosisë, por dëmi gjithsesi ishte bërë. Partitë e opozitës kritikuan shpenzimin e parave publike dhe akuzuan zyrtarët se ishin të korruptuar nga farmacitë e mëdha. Në fund, 323 njerëz në Francë vdiqën nga H1N1, vetëm 6 milion njerëz u vaksinuan dhe 19 milion doza vaksine u shkatërruan. Një vlerësim zyrtar vuri koston e problematikës në 382 milion €.
Raude thotë se skepticizmi u amplifikua gjithashtu kur personat e famshëm francezë, të ndihmuar nga rrjetet sociale, filluan të shprehnin dyshime për vaksinën. Një shkak tjetër, thotë ai, është mungesa e besimit te mjekët dhe shkencëtarët.
“Nuk është diçka e re që francezët të mos kenë besim te udhëheqësit politikë, por ekziston një nivel i ulët besimi dhe tek autoritetet mjekësore në Francë. Nëse nuk u besohet ekspertëve, atëherë qartazi nuk do ndiqen as këshillat që ata japin. ”
Eksperti Vignaud nga ana tjetër, thotë se skepticizmi i vaksinës nuk drejtohet kundër vetë vaksinës, por kundër atyre që e promovojnë atë, duke reflektuar një mosbesim ndaj “politikanëve, mjekëve, ekspertëve dhe gazetarëve të profilit të lartë”. “Ne jemi gjithmonë të zhgënjyer nga shteti. Kjo po vihet re edhe në programin e sotshëm të vaksinimit: Disa thonë se është shumë i ngadaltë, të tjerë se është shumë i shpejtë. Të gjithë janë të zhgënjyer ”.
Gjatë fundjavës, përkrahësit e anti-vaksinimit morën një goditje kur udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen ndryshoi kurs dhe tha se do të pranonte të merrte një vaksinë, pasi kishte shprehur më parë kundërshtimin ndaj saj.
Ministrat janë të bindur se programi i vaksinave të Francës do të arrijë nivelet e duhura në javët e ardhshme, duke këmbëngulur se procesi është “një maratonë, jo një sprint”.
“Sapo qasja në vaksinë të bëhet realitet, njerëzit do të bëjnë vaksinën”, thotë Vignaud. Ndërsa Raude pajtohet se strategjia e qeverisë “me hapa të ngadaltë” duket se po funksionon. “Qeveria ka qenë e ngadaltë dhe e kujdesshme në mënyrë që të mos trembë njerëzit … kur francezët të shohin përfitimet, ata do ta bëjnë vaksinën.”
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.