Analiza e CNN: SHBA digjet, Kina gëzon! Pse kaosi politik lehtëson fuqizimin e shtetit rival
Ndërsa pjesa tjetër e botës vazhdon të përballet me pandeminë e koronavirusit, Kina – ku infeksionet kanë qenë minimale për muaj me radhë – po vazhdon përpara, duke ringjallur ekonominë dhe duke ndjekur qëllimet gjeopolitike të saja.
Një gjë që e ka lehtësuar këtë të fundit është kaosi i vazhdueshëm i tranzicionit presidencial të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa vonesa e gjatë midis zgjedhjeve dhe inaugurimit gjithmonë krijon një shkallë konfuzioni mbi politikat, refuzimi i zemëruar i Presidentit Donald Trump për të pranuar rezultatet, e ka përkeqësuar këtë pa fund.
Ditët e fundit, Pekini ka arritur një marrëveshje të madhe investimi me Bashkimin Evropian; një që potencialisht minon aftësinë e Uashingtonit për të luftuar Kinën dhe goditjen e madhe që ajo po i bën Hong Kongut, me dhjetra aktivistë dhe ligjvënës të arrestuar në një spastrim që kërcënon të fshijë opozitën demokratike të qytetit.
Të dy veprimet e fundit nga Pekini ishin simbolike të një Kine që është trimëruar nga forca e saj krahasuar me pjesën tjetër të botës dhe e etur për të përfituar nga kaosi aktual në Uashington.
Udhëheqësit e Kinës pretendojnë se ndryshe nga Uashingtoni, ata nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të shteteve të tjera dhe kërkojnë vetëm “bashkëpunim të favorshëm”. Kjo nuk është e vërtetë. Pekini ushtron ndikimin e tij ashtu si çdo superfuqi tjetër.
Ky ndikim është rritur nga kaosi politik në Uashington, si dhe dështimi i SHBA për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive koronavirusit.
Fakti që Kina po përgatitet të lëshojë vaksinën e saj të brendshme, me premtime për të eksportuar qindra miliona doza jashtë shtetit – përfshirë këtu në të gjithë botën në zhvillim – shërben si fakti që përshfaq fuqizimin e Kinës. Dhuna në Uashington të mërkurën futet gjithashtu mirë në këtë narrativë.
Presidenti kinez Xi Jinping tani mund të ndiejë se është në gjendje të arrijë objektivat ndërkombëtare, të tilla si dyfishimi i kontrollit të Pekinit mbi Detin e Kinës Jugore dhe ishullin demokratik të Tajvanit.
Në fushatën elektorale, Biden u përputh me Trump në retorikën e ashpër ndaj Kinës, por ai shpreson për një rivendosje relative në marrëdhëniet me Pekinin sapo të marrë detyrën, duke bërë të mundur që Shtetet e Bashkuara të konkurrojnë me shtetin rival nga një pozicion më i fortë.
Por, ndërsa kanë mbetur dy javë derisa Biden të marrë detyrën, mbetet të shihet nëse kaosi në Uashington do t’i mundësojë Pekinit të ndjekë qëllime të tjera të kërkuara prej kohësh.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: CNN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.