Analiza vjetore e DRSHTRR Elbasan – Isaraj: Ka nisur puna për ristrukturimin e institucioneve dhe shërbimeve

“Së shpejti ne do i japim fund njëherë e përgjithmonë mungesës së profesionistëve në sportelet e shërbimeve si dhe do të forcojmë në maksimum kërkesën e llogarisë për të gjithë punonjësit tanë.”
Kështu është shprehur Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isaraj në analizën vjetore të vitit të kaluar të Drejtorisë Rajonale të Elbasanit. Sipas tij, ofrimi i shërbimeve të përsosura për qytetarin duhet të jetë edhe prioriteti i punonjësve të DPSHTRR-ve.
Ndërkohë, Isaraj u shpreh se ka nisur puna për ristrukturimin e institucionit dhe shërbimeve që ofrohen, pasi sipas tij disa prej tyre nuk janë të përsosura për shkak të problematikave të trashëguara.
“Natyrisht që ende disa shërbime nuk janë të përsosura për shkak të problematikave të trashëguara por do të bëhet gjithçka që të ketë sa më tepër cilësi në shërbimet që ofrohen nga të 13-të Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor .”
Isaraj ka vlerësuar performancën e Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan. Ndërkohë, Luiza Popja, Drejtore e DRSHTRR Elbasan është shprehur se në arritjen e treguesve pozitivë dhe performancës së mirë ka ndikuar puna e bërë në këtë ndërmarrje shërbime, e cila i ka dhënë fund edhe ankesave të qytetarëve.
Të ardhurat gjatë vitit të kaluar në DRSHTRR Elbasan janë realizuar në masën 101.5% krahasuar me planin e miratuar për vitin 2017, ndërsa shpenzimet janë realizuar në masën 89.56 %.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.