Analizë / Bjellorusia po kalon në 2020-ën revolucionin e 1989-ës. Si mund të ndihmojë Evropa?
Pas 26 vjetësh në krye, ditët e Aleksandër Lukashenkos janë të numëruara. Kujdesi evropian mund të ndihmojë në përshpejtimin e rrëzimit të diktatorit të fundit të Evropës.
Protestat e një shkalle të pashembullt kanë mbushur rrugët e Bjellorusisë që kur presidenti Lukashenko pretendoi fitimin e zgjedhjeve që në fakt u manipuluan. Protesta brutale, arrestime masive dhe rrahje të egra pasuan, duke zemëruar madje edhe ata që më parë ishin indiferentë. Megjithatë gjatë ditëve të kaluara, forcat e sigurisë kanë qëndruar ca të mënjanuar, siç vepruan të dielën kur turma të mëdha demonstruan përsëri në kryeqytet dhe më gjerë. Grevat janë përhapur gjithashtu, me pjesëmarrje në rritje të punëtorëve.
Kjo është një pikë kthese për shtetin me modelin sovjetik më jetëgjatë ndër ish kombet sovjetike, dhe është një jehonë e vitit 1989, vit ku u rrëzuan regjimet komuniste nëpër Evropë. Demonstratat e pas-zgjedhjeve nuk janë të panjohura për Bjellorusinë, por kësaj radhe lëvizja është shumë më e gjerë. Ajo është përhapur te fshatarët dhe të punësuarit në industri të rëndë – shumë njerëz që dikur mbështesnin Lukashenkon.
Ajo që është e sigurt për momentin është që vendimet e marra përtej kufijve të Bjellorusisë do të ndihmojnë në përcaktimin e fatit të saj.
Moska, në një pozicion pushtues, deri më tani ka mbrojtur bastet e saj. Presidenti Vladimir Putin javën e kaluar uroi homologun e tij për fitoren zgjedhore, por ai gjithashtu kritikoi faktin që bashkimi i dy shteteve nuk është bërë realitet. Një shtet i unifikuar mes Rusisë dhe Bjellorusisë u ra dakord dy dekada më parë, por marrëveshja ka ngecur.
Ndërsa Bjellorusia është jetësore për Rusinë, ajo nuk është rasti i Ukrainës në vitin 2014. Regjimi i Lukashenkos predikon Putinin. Kjo luftë kundër lidershipit nuk ka të bëjë me Rusinë apo perëndimin. Në të vërtetë, më shumë se sa një tjetër “2014-të”, ajo çka po ndodh është një tjetër “1989”, ose, më mirë akoma, “1991” – fundi i vonuar i një mbetje të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kontekst, do të ishte e kuptueshme nëse Putini, i cili ka mjaft probleme për të zgjidhur në shtëpi, do të preferonte të mos ndërhynte fuqishëm në Bjellorusi, duke nxitur kështu ndjenjën anti-ruse në një shtet fqinj.
Thënë kjo, vimë tek Evropa. Për BE-në ka vend për një qëndrim më proaktiv, megjithëse edhe rrezik për të shkaktuar shumë dëme. Është e domosdoshme që Evropa të shmanget nga premtimet dhe deklaratat madhështore që rrezikojnë të alarmojnë Moskën. Lukashenko që tani ka filluar pretendimet se trupat e NATO-s po grumbullohet në kufijtë e Bjellorusisë. Përshkallëzimi është i panevojshëm.
Kjo do të thotë që sanksionet që Evropa ka kërcënuar për individët në administratën e Lukashenkos dhe për forcat bjelloruse të sigurisë, duhet të vendosen me shpejtësi. Efektiviteti i tyre mund të jetë i diskutueshëm, por mesazhi është i qartë. Prandaj, është i rëndësishëm plani i veprimit që Evropa do zbatojë në rastin bjellorus. Ajo duhet të tërheqi, por nuk duhet të këpusë.
Vijat e kuqe diplomatike duhet të mos përdoren, që Moska të mos acarojë veprimtarinë e saj. “Evropa thjesht nuk duhet ta fusë veten në luftë”, thotë Nigel Gould-Davies në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike dhe ish ambasadori britanik në Bjellorusi.
Por kjo ama nuk do të thotë që Evropa duhet të rrijë pasive. Nigel Davies argumenton se BE duhet të fillojë të mendojë që tani për ndihmën që mund të ofrojë pasi në Bjellorusi të shembet elita sovjetike. Kjo ndihmë mund të vijë në disa forma, sidomos financiare apo investime. Ajo që vlen për t’u theksuar, është se bujaria duhet të jetë e garantuar.
Ndërkohë, diplomatët nga Evropa duhet të dëgjojnë opozitën, dhe ta bëjnë të qartë për ushtrinë dhe elitat se interesat e tyre do të shërbehen më mirë në një vend të lirë dhe me marrëdhënie të hapura ekonomike, të cilat janë në gjendje të thithin kapital të huaj. Me ekonominë e Bjellorusisë në staniacion, çështja e mundësive për përmirësim duhet të mpreh mendjet e cilitdo që lufton për lirinë.
Sjellë në shqip nga Dosti Banushi
Burimi: Bloomberg, analizë nga Clara Ferreira Marques, editorialiste.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.