Analizë ekonomisë shqiptare – Banka Qendrore e Austrisë publikon raportin e T4
Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar raportin e tremujorit të katërt, me fokus në integrimin ekonomik europian, e ku në analizë merren vendet e Europës qendrore dhe juglindore, mes të cilave edhe vendi ynë. Shqipëria, Mali i zi dhe Serbia vlerësohen si tre vende e Ballkanit Perëndimor me ngadalësim të ekonomisë në gjysmën e parë të 2019-ës.
Sa i përket vendit tonë, raporti e vë theksin te mungesa e shirave, që ka shkaktuar një prodhim energjetik më të ulët se parashikimet, gjë që ka cenuar rëndë edhe eksportet dhe rritjen ekonomike për rrjedhojë. Edhe investimet e huaja vlerësohen si një problem për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti, duke pasur parasysh efektin e zbehjes së investimit të gazsjellësit trans-adriatik në vendin tone.
Përveçse analizon ecurinë e ekonomisë shqiptarë në gjysmën e parë të vitit, raporti analizon edhe ecurinë e sektorit bankar në vend. “Në Shqipëri huadhënia ndaj sektorit koorporativ është rimëkëmbur dukshëm”-thuhet mes rreshtave në raport, ku ndër të tjera theksohet edhe fakti se ndërrimi i pronësisë në disa banka ka nxitur një rritje të kreditimit. “Trendi rënës i kredive jo-performuese ka vazhduar që prej mesit të vitit 2018 në Shqipëri”-thuhet më tej.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.