Analizë / Karantina tregon se politik-bërja ka dështuar!
Karantinat janë shenjë e dështimit të politikave, sipas komentatorit dhe autorit politik Fareed Zakaria.
“Bllokimet janë një shenjë që politika ka dështuar,” tha komentatori i CNN dhe kolumnisti i Washington Post. “Karantina është një instrument i madh, i paqartë dhe që shkatërron ekonominë.”
Zakaria vlerësoi politikat e ndjekura nga Tajvani, i cili pavarësisht se është vendi fqinj i Kinës, epiqendra fillestare e pandemisë, dhe duke mirëpritur miliona turistë kinezë çdo vit, zbatoi një sistem mjaft efektiv të testimit dhe gjurmimit në fillim të pandemisë. Vendi gjithashtu izoloi cilindo të infektuar në qendra të caktuara të karantinës.
“Ata vepruan herët, agresivisht dhe me inteligjencë,” tha ai. Si rezultat, vuri në dukje ai, Tajvani ka përjetuar vetëm shtatë vdekje COVID-19 deri më tani. “Dhe, ata janë një demokraci e hapur, shumë transparente. Dhe, për t’i shtuar kësaj, ata shpenzojnë një të tretën më shumë për kujdesin shëndetësor sesa Shtetet e Bashkuara.”
Ai tha se disa vende të tjera aziatike, duke përfshirë Korenë e Jugut, Singaporin dhe Vietnamin, kishin ndjekur politika të ngjashme dhe gjithashtu kishin përjetuar pak infeksione dhe vdekje, si në terma absolutë ashtu edhe në raport me madhësinë e popullsisë së tyre.
Zakaria tha se pandemia paraqit një mundësi për vendet dhe kompanitë, për të rindërtuar ekonomitë dhe bizneset me një qëndrueshmëri më të madhe, në mënyrë që ata të jenë më të aftë të përballojnë kriza të ardhshme.
Ai tha se shoqëria në tërësi, dhe bizneset në veçanti, duhet të mbeten të hapura, transparente, dinamike dhe të shpejta, por që shoqëritë kanë nevojë për parmakë dhe politika sigurimi për të parandaluar katastrofat e ardhshme.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Fortune
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.