Analizë / Pse kthesa 180 gradë e BQE mbi masat ndaj koronavirus tregon sfidën që ky virus po i prezanton projektit evropian
Dobët. Ngathët. Absurde. Banka Qendrore Evropiane u kritikua shumë për përgjigjen e saj fillestare ndaj pandemisë Covid-19, dhe me të drejtë.
Këto akuza ama nuk vlejnë më; kjo pasi BQE përdori një takim urgjent për të zhvilluar një paketë të re gjigande të lehtësimit sasior (QE).
Një shtesë prej 750 miliardë Euro nuk është një plumb magjik që do të vrasë krizën ekonomike që do pasojë pandemia koronavirus. Pikërisht për këtë, BQE ka thënë se është e përgatitur të shkojë më tej akoma, dhe në fakt ajo është e detyruar. Qeveritë individuale duhet të bëjnë më shumë, shumë më tepër, gjithashtu. Edhe atëherë, prapë pyetja a do të marrë fund recesioni i pashembullt që do të krijojë pandemia, do të mbetet pa përgjigje.
Megjithatë, kjo masë e ndërmarrë është mëse e mirëpritur. Sidomos kur e krahason me përgjigjen fillestare që dha presidentja e BQE-së Christine Lagarde, se nuk është puna e Bankës Qendrore Evropiane të marrë masa për të siguruar vazhdimësinë e ekonomisë së vendeve evropiane.
Por, për fat të të gjithëve, ajo reflektoi. Reflektimi i saj nuk vjen vetëm si inerci e të kopjuarit të veprimeve që kanë ndërmarrë Bankat Qendore në Amerikë apo në Angli.
Ndërhyrja e saj dhe bankës që ajo drejton ishte e detyruar, pasi studimet paraprake tregojnë se Bashkimi Evropian është tmerrësisht i kërcënuar nga kriza financiare që do të pasojë krizën e koronavirus. Biznesi gjerman është i dekurajuar, shtetet kryesore të tjera të BE-së, si Italia, Franca, Spanja, janë në karantinim të plotë, me një ekonomi që po lëkundet tmerrësisht ndjeshëm.
Ekzistojnë qartë shqetësime në BQE rreth faktit nëse vetë Eurozona do t’i mbijetojë kësaj krize pa një paketë mbështetëse masive. Insistimi i Lagarde se “nuk ka kufij në angazhimin tonë ndaj euros” është prova e kësaj. Me një BE që ka mbyllur kufijtë, e pasigurtë, e frikësuar, me njerëz që po ndërrojnë jete ditë pas dite dhe një ekonomi e paralizuar, tërë projekti i Evropës së bashkuar është në rrezik.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: The Guardian, shkrim i editorialistit ekonomik, Larry Elliott https://www.theguardian.com/world/2020/mar/19/ecb-u-turn-shows-it-fears-coronavirus-could-destroy-eurozone-project
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.