Anëtarësimi i Shqipërisë në BE – Bushati: Reforma në drejtësi krijon kushte për çeljen e negociatave
Në kuadër të vizitës në Slloveni, ministri Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore.
Gjatë fjalës së tij, ministri Bushati falënderoi palën sllovene për mbështetjen e saj të pakushtëzuar në procesin e Integrimit të Shqipërisë dhe rajonit. Më tej, ministri Bushati nënvizoi tre rreziqet imediate që i kanosen rajonit.
“Rreziku i parë është që zgjerimi mos të konsiderohet më si objektiv parësor i përbashkët, rreziku i dytë është që rritja e bashkëpunimit politik në rajon të mos ketë impakt konkret në jetën e qytetarëve tanë; ndërsa rreziku i tretë ka të bëjë me tendencën e re për të sakrifikuar shtetin ligjor në altarin e stabilitetit”, tha Bushati.
Krahas bisedimeve për ritmin dhe cilësinë e procesit të integrimit, Ministri Bushati u shpreh se “ka ardhur koha që ky proces të ketë një kalendar dhe afate”. Përgjatë konferencës ministrore, në një takim me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ministri Bushati shprehu besimin se progresi i Shqipërisë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe prioritetet e qarta të qeverisë së re shqiptare në fushën e integrimit, krijojnë kushtet të mira për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.