Anëtarësimi në BE, Meta: Projekt Kombëtar strategjik plotësimi i 5 kritereve
“Shqipëria e konsideron anëtarësimin në BE një projekt kombëtar strategjik, që meriton të gjithë angazhimin institucional dhe qytetar për plotësimin e 5 prioriteteve, zbatimi i të cilave do të sjellë çeljen e negociatave të anëtarësimit”.
Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta gjatë takimit me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johannes Hahn. Duke vlerësuar investimin e madh të BE dhe ShBA në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë jetike që ka zbatimi i qenësishëm i saj.
Presidenti Meta dhe Komisioneri Hahn diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, ku u theksua rëndësia që ka angazhimi i shtuar i BE për përshpejtimin e proceseve demokratizuese dhe integruese të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë jetike të anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, me bindjen se do të gjenerojë me shumë siguri për të gjithë rajonin, si dhe domosdoshmërinë e liberalizimit të shpejtë të vizave për Kosovën.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.