Anëtarët e KLGJ dhe KLP – Bylykbashi: Lista “nul”, në votim nuk morën pjesë 94 deputetë

Partia Demokratike e ka konsideruar antikushtetuese listën me dhjetë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që u miratua të enjten në Kuvend. Në një deklaratë për media, Deputeti Oerd Bylykbashi tha se në momentin e votimit në sallë e Kuvendin gjendeshin të pranishëm vetëm 73 deputetë, ndërkohë që Kushtetuta dikton se numri minimal i votuesve duhet të ishte 94. Kjo, sipas tij, bën nul listat e kaluara automatikisht me 72 votat e mazhorancës.
“Shorti është i paligjshëm, por mbi të gjitha dje nuk ka ndodhur process votimi në parlamentin shqiptar. Kushtetuta kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të votojë me 94 vota. Dje nuk ka ndodhur proces votimi. Nuk jemi përpara një rezultati ku rrëzohet lista. Procesi i votimit në parlament është nul për një fakt të thjeshtë kushtetues, Neni 78 i Kushtetutës përcakton: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar. Në rastin konkret, Kushtetuta parashikon 94 vota.”
Sa për emrat e 10 anëtarëve të dy Këshillave, Bylykbashi akuzoi se ata ishin paracaktuar nga mazhoranca dhe se disa prej tyre shfaqnin shkelje flagrante të ligjit të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë, si dhe në kundërshtim me rekomandimet e OMN-së.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.