Angazhimet e ekonomisë në 2018 – Projeksionet për rritjen, inflacionin dhe papunësinë

Projeksioneve makroekonomike të Shqipërisë për vitin aktual tregojnë një situatë disi mikse. Pjesa dërrmuese e institucioneve ndërkombëtare ka rishikuar vazhdimisht, gjatë vitit të kaluar, projeksionet e rritjes ekonomike.
Gjithsesi, Banka Botërore flet për 3.5% rritje ekonomike, FMN për 3.7% dhe Komisioni Europian për 3.8% rritje.
Qeveria shqiptare, ndërkohë, është e bindur se gjatë 2018-ës, rritja ekonomike do ta tejkalojë normën e 4%.
Por, tendenca e qeverive të ndryshme për të qenë më optimiste se institucionet kompetente, përfshirë ato ndërkombëtare është një tendencë e përhapur në pjesën dërrmuese të botës, duke qenë se mbi këtë optimizëm bazohet edhe buxheti i shtetit.
Në Shqipëri kjo tendencë merr shtysë edhe nga eksperienca e vitit të kaluar. Gjatë 2017-ës, rritja ekonomike tejkaloi ndjeshëm, jo vetëm projeksionet e institucioneve ndërkombëtare, por edhe vetë ato të qeverisë shqiptare.
Projeksionet e tjera flasin, gjithashtu, për një rritje të ndjeshme të normës së inflacionit, çka do të ketë një impakt aspak të dëshiruar për ekonomitë familjare.
Përgjatë 2018-ës pritet që inflacioni të arrijë në 2.8%. Për bankën qendrore ky është një lajm i mirë, por jo për ekonomitë familjare. Në rast se rritja e çmimeve nuk do ët shoqërohet me një rritje të pagave, atëherë të ardhurat familjare do të tkurren gjatë këtij viti.
Një tjetër indikator që pritet të bjerë ndjeshëm është edhe norma e papunësisë, projektohet të fiksohet në rreth 14.2% përgjatë vitit aktual. Në terma të përgjithshëm, projeksionet flasin për një ngadalësim të vrullit të ekonomisë, që u përjetua gjatë 2017-ës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.