Ankandet e bonove të thesarit – Interesi për bonot me maturim 12-mujor arrin në 2.16%
Interesat e bonove të thesarit u rritën sërish lehtë në ankandin e të martës. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.16%, nga 2.14% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.
Kërkesa e tregut për bono ishte sërish e lartë, për një total prej rreth 7,9 miliardë lekësh, kundrejt 7.2 miliardë lekëve të shpallura nga qeveria për financim.
Ndërkohë, i pandryshuar ka mbetur interesi mesatar i ponderuar për bonot me maturim 6-mujor në 1,65%. Por në këtë ankand u siguruan 1,870 miliardë lekë, kundrejt 3 miliardë lekë të shpallura nga qeveria për financim.
Në muajt e fundit, tregu i instrumenteve të borxhit qeveritar po shfaqet mjaft i qëndrueshëm, pas luhatjeve të forta të interesave që nga mesi i vitit të kaluar. Bonot 12-mujore janë stacionuar pranë 2%, që duket një pikë ekuilibri.
Ky nivel siguron një kthim të arsyeshëm për investitorët, duke qenë gjithsesi një normë e favorshme huamarrjeje edhe për qeverinë.
Nga ana tjetër, ky nivel i yield-it të bonove nuk nxit presione domethënëse për rritjen e interesave të depozitave apo të kredive bankare, duke favorizuar vijimësinë e normave të ulëta të interesit në ekonomi.
Skenari bazë për ekspertët është qëndrueshmëria e interesave të bonove në nivele të ngjashme, pa luhatje shumë të mëdha, në reflektim edhe të politikës monetare lehtësuese.
Një rritje e mirëfilltë dhe e qëndrueshme e interesave në tregjet financiare mund të jetë më e ngjashme të ndodhë duke filluar nga viti i ardhshëm, kur inflacioni pritet të arrijë objektivin e Bankës Qendrore, çka mund të diktojë një kah të ri në kursin e politikës monetare.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.