Ankesa për buxhetin për personat me aftësi të kufizuara – Kërkohet shlyerja e detyrimeve të prapambetura, pagesat nuk rriten që nga viti 2010
Pavarësisht se gjykata u ka njohur të drejtën e dëmshpërblimit, qeveria nuk planifikon fonde për detyrimet e prapambetura ndaj personave me aftësi të kufizuar. Për të distain vit me radhë, problematika është ngritur gjatë diskutimit të projektbuxhetit në komisionet parlamentare, por sipas ish-kreut të Këshillit Kombëtar të Personave me Afësi të Kufizuar, Sinan Tafaj ajo nuk merret parasysh. Tafaj shpjegoi se borxhi ndaj këtyre personave është krijuar si pasojë e mosindeksimit të pagesave gjatë viteve 2005-2010, ndërkohë që minimalisht për vitin 2021 do të nevojiteshin 2 mln euro për likujdimin e pjesshëm të tyre.
Përfqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ky detyrim nuk do të mbulohet prej tyre, teksa ia adresuan këtë përgjegjësi bashkive ndonëse pagesat e aftësisë së kufizuar bëhen nga buxheti i shtetit. Ndërkaq, Tafaj kujtoi se këto pagesa nuk janë rritur që prej vitit 2010, ndërsa rritje të pensioneve kërkoi edhe kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri.
Omuri kërkoi edhe përjashtimin e invalidëve të punës nga taksa e banesës, që sipas tij po vilet padrejtësisht, pasi kjo kategori prej vitit 2010 ka qenë e përjashtuar me ligj.
Ola Mitre – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.