Ankesat në ERE – Në 2016 u paraqitën 957, shumica energji e pamatur

Enti Rregullator i Energjisë trajtoi gjatë vitit 2016 një numër të konsiderueshëm ankesash veçse dukshëm më të ulët sesa viti paraardhës. Në raportin vjetor të këtij institucioni bëhet me dije se numri i ankesave nga klientët ishte 957 ndërkohë që në 2015 ky numër ishte 3519. Të ndara në kategori numrin më të madh e zënë ankesat për energji të pamatur.
“Vihet re se këto ankesa janë të mbartura dhe përfshijnë faturime të energjisë elektrike, të cilat kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara nga shoqëria “CEZ Shpërndarje“ sh.a, përgjatë periudhës 2011-2013, ku vihet re se në shumicën e rasteve të paraqitura, procesverbalet e mbajtura për konstatimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemin e matjes janë kryer jo në prezencën e klientit, në bokse kolektive të matësave të energjisë elektrike” thuhet në raportin e ERE.
Referuar shifrave zyrtare ankesat për energji të pamatur janë 308, për faturim aforfe 105, për mbifaturim 243, për faturim fiktiv 43, për kontratë fiktive 32, me vlerë referuese 60, të ndryshme 102.
Një tendencë e vërejtur të paktën tek kategoria e kontratave fiktive dhe faturimeve fiktive është zbatimi i tyre në ndërtime informale ose në banesa të përfshira në proces legalizimi. Gjithsesi sipas ERE ka një përmirësim të dukshëm të treguesve në lidhje me shërbimin ndaj klientit nga ana e OSHEE.
Ankesat 2016
Energji e pamatur 308,
Faturim aforfe 105
Mbifaturim 243
Faturim fiktiv 43
Kontratë fiktive 32
Vlerë referuese 60
Të ndryshme 102
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.