Anketa e INSTAT për forcat e punës – Denaj: Lajm i mirë për ekonominë, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin
Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka njoftuar sot në faqen e saj zyrtare se papunësia në vend ka kapur nivelin e saj më të ulët.
“Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, konfirmon efektivitetin e politikave nxitëse për punësimin. Në tremujorin e dytë 2019, papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin historik prej 11.5%, ndërsa numri i të punësuarve gjithsej krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, u rrit me 3,4 %, duke konsoliduar shkallën e punësimit në 61.4% nga më të lartat në rajon,” ka bërë me dije Denaj.
Gjithashtu në publikimin e saj ministrja ka theksuar gjithashtu se shkalla e papunësisë tek të rinjtë ka shfaqur një tendencë në rënie e cila krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, është 1,7 pikë përqindje më e ulët.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.