“Anti-informalitet 3” – Ahmetaj: Kontroll kompanive të mëdha. Tatimet, sektorët me risk

Informaliteti i lartë në ekonominë shqiptare bëri që qeveria të ndërhyjë me dorë të “hekurt” dy vjet më parë. Aksioni anti-informalitet ka dhënë rezultat në formalizimin e biznesit të vogël, por edhe në rritjen e numrit të deklarimit të të punësuarve. Por tashmë sipas Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, përqëndrimi do të jetë te kompanitë e mëdha.
“Mandati i dytë do të ketë shenjën shumë të suksesshme të betejës antiinformalitet që fillon menjëherë në muajin e parë të ‘Rama 2’. Ne do të angazhojmë në mënyrë të koordinuar të gjitha institucionet rregullatorë dhe kontrolluesit e tregjeve për të targetuar në mënyrën më efikase dhe eficiente të gjithë evadorët fiskalë. Zhvillimi dhe aplikimi i mëtejshëm i teknologjive të informacionit, ndërkomunikimi i sistemeve të administratës dhe koordinimi i punës së njësive të analizës dhe inteligjencës do të jenë në qendër të qasjes sonë të luftës antiinformalitet. Fokusi do të jetë sipërmarrja e madhe”, tha Ahmetaj.
Kontrollet e tatimeve tashmë janë fokusuar dhe do të bëhen mbi bazën e riskut. Analiza e përgjithshme mbi shpërndarjen e riskut në rajonet tatimore dhe në sektorët ekonomikë prioritarë hartohen duke u mbështetur në rezultatet e gjeneruara nga kriteret e riskut, për numrin e tyre të thyer, si dhe tatimin e rrezikuar të llogaritur nga të gjitha kriteret, për secilin tatimpagues për gjenerimin e rezultateve. Sipas Drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, Vasilika Vjero, sektorët e konsideruar si më me risk përsa i takon sjelljes në lidhje me pajtueshmërinë vullnetare në kuadrin fiskal janë gjeneruar nga sistemi informatik i menaxhimit të riskut.
“Moduli i riskut ka nxjerrë disa sektorë, të cilët janë tregtia me shumicë, tregtia me pakicë, janë hoteleritë, restorantet, janë profesionet e lira, është bujqësia, pra agrikultura dhe njëkohësisht është sektori i ndërtimit. Këto janë sektorë mbi bazën e të cilëve më tej ngrihet dhe i gjithë mekanizmi i kontrolleve. Sigurisht kontrollet janë të koordinuara”, tha Vjero.
Ndërkohë është njoftuar se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ushtrojnë kontrolle të përbashkëta pranë kompanive të sigurimit si dhe subjekteve të tjera nën mbikëqyrje. Po kështu të dy institucionet do të shkëmbejnë informacion në funksion në mënyrë të koordinuar. Të gjitha këto sanksionohen në një marrëveshje re bashkëpunimi të nënshkruar mes AMF dhe Tatimeve duke vendosur si fokus kontrollin e shpenzimeve të kompanive, policat e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, si edhe ligjshmërinë e veprimtarisë së subjekteve nën mbikëqyrjen e AMF-së.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.