Antiinformaliteti, Administrata Tatimore vijon takimet me komunitetin e biznesit. Kërkesat që u parashtruan
Në kuadër të aksionit anti informalitet, Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj zhvilloi një takim me subjektet që operojnë në sektorin e lojërave të fatit.
“Takimi kishte për qëllim informimin e përfaqësuesve të këtij sektori në lidhje me zbatimin e aksionit anti informalitet, si dhe çështjet për të cilat administrata tatimore kërkon bashkëpunim. Konkretisht u diskutua deklarimi real i qirave për të gjitha pikat sipas adresave sekondare që subjektet e lojërave të fatit kanë në territor, tatimi i të ardhurave të fituesve nga lojërat e fatit, si dhe niveli i pagave të punonjësve të këtij sektori”.
Përfaqësuesit e bizneseve të Lojërave të Fatit përcollën shqetësimin e tyre në lidhje me vështirësinë e identifikimit të fituesve, nëpërmjet lojërave elektronike dhe rrjedhimisht të vjeljes së tatimit nga fitimet e individëve.
Drejtoria Rajonale Tatimore Dibër zhvilloi një takim me tatimpagues të qytetit të Matit, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të bizneseve në fushën e tregtisë. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte informimi i bizneseve, si dhe përfshirja e tyre në zbatimin e aksionit anti informalitet dhe ndërgjegjësimi për përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore.
“Gjatë këtij takimi drejtuesit e drejtorisë rajonale tatimore Dibër informuan tatimpaguesit në lidhje me ecurinë e fazës së tretë të aksionit anti informalitet. Gjithashtu diskutuan veprimet që janë ndërmarrë dhe sektorët ku është fokusuar më shumë ky aksion. Në vijim të diskutimit u theksua edhe rëndësia dhe detyrimi i përdorimit të pajisjeve fiskale e lëshimi i kuponëve tatimorë për çdo transaksion sipas specifikimeve ligjore”, thuhet në njoftimin e DPT-së.
Pjesëmarrësit vlerësuan këto takime si shumë të rëndësishme për bashkëpunimin midis dy palëve dhe shprehën interesin dhe gatishmërinë e tyre për të qenë pjesë aktive sa herë që kërkohen propozime për zgjidhjen e problematikave që lidhen me sektorët ku ata bëjnë pjesë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.