Antikanabisi/Shqipëria në bashkëpunim me Italinë nis monitorimin nga ajri
Për të monitoruar kultivimin e lëndëve narkotike nga ajri, Shqipëria do të bashkëpunojnë me Italinë. Projekti i quajtur “SANCAS” u prezantuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë takimit me delegacionin e policisë italiane, të përbërë nga Policia kriminale e Guardia di Finanza.
Veliau bëri prezent tre komponentët, ku do mbështetet projekti, për të operuar më tej në terren.
“Në eksperiencën e fituar në kontrollin e territorit dhe luftës ndaj kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit, gjatë vitit 2017; Në një analizë të plotë për të gjithë periudhën paraardhëse, mënyrat e kultivimit, rrugët e trafikimit të kanabisit dhe duke bashkëpunuar do të arrijmë në hartimin e një strategjie efikase policore por jo vetëm, si dhe në rritjen e orëve të fluturimeve për këtë vit, ku është llogaritur të jenë 30% më shumë se në vitin 2017”.
Sipas Veliut strategjia antikanabis funksionon vetëm atëherë kur krijohet një frymë bashkëpunimi dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë aktorët dhe institucionet përgjegjëse.
“Policia e Shtetit, në këtë vit që ne po flasim, hartoi një plan të detajuar për kontrollin e territorit. Mbi masat që duhen marrë, për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farave, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike Cannabis Sativa, në sera diellore, tunele të braktisura, ish-rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale”.
Duke folur rreth bashkëpunimit me partnerët, Veliu u shpreh se:
“Është e rëndësishme dhe ne tashmë e kemi vendosur standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacionit me policinë italiane, ndaj mbështetja që na jep ky projekt, jam i sigurt se do të na çojë në rezultate mbresëlënëse. Komponent shumë me vlerë për ne, është mbështetja që po jep ky projekt në fushën e teknologjisë, duke orientuar dhe mbështetur Policinë e Shtetit në zgjerimin e databazës së saj. Policia shqiptare ka tashmë hartën dixhitale të sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku janë kultivuar bimë narkotike. Pjesa më e rëndësishme e këtij projekti është ngritja e ekipeve të përbashkëta hetimore për hetimin e trafikantëve, me Policinë italiane dhe ato europiane, për të bërë të mundur finalizimin e çështjeve duke identifikuar asetet kriminale dhe sekuestrimin e tyre”.
Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Gjeneral Brigate CC Paolo D’Ambolo, duke folur për bashkëpunimin e përbashkët, theksoi se:
“Edhe ne jemi të bindur për rezultatet pozitive të këtij projekti, sepse para së gjithash ne njohim kolegët, miqtë tanë shqiptarë të cilët janë të aftë dhe kanë dhënë rezultate përsa i përket luftës ndaj kanabisit”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.