Anulohen 2 marrëveshje financiare – Spaho: Bizneset aplikuan, por qeveria dështoi të thithë fondet
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar anulimin e 2 marrëveshjeje për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale si dhe eficiencës energjetike përmes sektorit bankar, ku parashikohej dhënia e 2 huave në vlerën totale prej 17 milion eurove nga qeveria gjermane. Gjatë diskutimeve, deputeti i Partisë Demokratike akuzoi qeverinë si përgjegjëse për dështimin e tyre.
Marrëveshjet parashikonin vënien në dispozicion të fondeve për kredi nga ana e KFW-së, për bankat shqiptare, për të promovuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por sipas një note verbale të Ambasadës së Gjermanisë u shfaqën probleme për shkak të likuiditetit të lartë në sektorin financiar shqiptar.
Gjithashtu, në këtë notë verbale theksohej se në Shqipëri pengesa më e madhe për dhënien e kredive nuk ishte mungesa e mjeteve financiare, por mungesa e garancive nga ana e kredimarrësve. Këto fonde pritet të shkojnë për sektorë të tjerë sikurse mund të jetë bujqësia, por për këtë do të jetë e nevojshme nënshkrimi i marrëveshjeve të reja.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.