Apel bizneseve për ujin, Veliaj: Paguani detyrimet, nuk do të toleroheni
Bizneset dhe qytetarët informalë kanë kohë deri më 28 Shkurt të lidhin marrëveshjen me UKT dhe të paguajnë detyrimet. Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se nuk do të ketë tolerime dhe për këtë është vënë në funksion të plotë Policia Bashkiake, e cila që po kryen inspektime në terren.
“Unë dua ti bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, po sidomos atyre që janë biznesmen dhe që përdorin ujin e pijshëm për të fituar para, paguani, paguani sepse nuk do tolerohet më. Kanë filluar arrestimet e para të atyre sipërmarrësve që vetë bëhen milionerë dhe lënë Tiranën pa ujë, dhe deri në datën 28 shkurt pa asnjë detyrim e ndëshkim, çdo qytetar ftohet të shkojë të lidhi kontratën me ujësjellësin, jo vetëm në Tiranë, por në të 61 bashkitë e Shqipërisë”.
Veliaj mori pjesë në aktivitetin e trajnimit të Policëve Bashkiakë, ku bëri me dije se të gjithë efektivët do të jenë të certifikuar për dijet e tyre. Kryebashkiaku theksoi se është rritur ndjeshëm besimi tek forcat blu.
Kryebashkiaku Veliaj tha ndër të tjera, se Tirana është një ndër qytetet më të sigurt në Europë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.