Apeli i prodhuesve shqiptarë: Lehtësoni procedurat, pastaj hapje tregu
Edhe pse është folur shumë për një treg rajonal të përbashkët, barrierat për bizneset, sidomos ato prodhuese, janë prezente midis vendeve të Ballkanit.
Në një deklarate të përbashkët për mediat prodhuesit shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova kanë kërkuar lehtësi proceduriale dhe politika të përbashkëta ekonomike në ndihmë të tyre.
Bardhyl Balteza, kryetar i prodhuesve të Shqipërisë u shpreh se ky komunitet ka qenë promotor i bashkëpunimit mes bizneseve të tre vendeve.
“Hajde të hapim ekonomikisht dy vendet tona, të ndërtojmë një plan-ide si do ta zhvillojmë këtë ekonomi, ku do shkojë kjo ekonomi e jona dhe e Kosovës, dhe mos bëjmë shpenzime të dyfishta, mos kemi konkurrenca të dëmshme për njëra tjetrën, por ti rregullojmë këto gjëra në mënyrë zyrtare dhe të hapur”.
Astrit Shabani, kryetar i klubit të prodhuesve të Kosovës, theksoi faktin e unifikimit të politikave ekonomike mes vendeve, si një nisje e lehtësimit të sipërmarrje.
“Është kërkesë e prodhuesve që sa më shpejt qeveritë tona të unifikohen, gjithçka që mundet të unifikohet, dhe ne mund ti përdorim si asete, që sa më shpejt ky treg të jetë një treg i lirë, i hapur. Pra të mos ketë asnjë pengesë”.
Ndërsa përfaqësuesi i prodhuesve shqiptarë të Maqedonisë, Nagip Fejzi, u bëri apel që të gjithë shqiptaret të blejnë dhe konsumojnë prodhimet shqiptare, pasi standardi është i larte, por edhe si mbështetje ndaj tyre.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.