Aplikim për hidrocentral të vogël në Elbasan – MIE zbulon detajet e projektit
Pavarësisht kërkesave në rritje për ndërtimin e impianteve të reja të prodhimit të energjisë duke shfrytëzuar energjinë diellore dhe të erës, interesi i investitorëve për hidrocentrale të vogla nuk mungon.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kësaj radhe ka bërë të ditur se shoqëria “AB-01 Energji”, me seli në Çorovodë, ka aplikuar për ndërtimin e hidrocentralit “Gastra” në pellgun ujëmbledhës të përroit të Pashtreshit në Elbasan.
Përroi, në afërsi të fshatit me të njëjtin emër, është një degë e lumit Devoll. Kapaciteti i propozuar për t’u instaluar në këtë impiant është 2 MË. Ndërkohë, detajet mbi vlerën e investimit nuk bëhen të ditura.
Gjatë këtij muaji kërkesat për të investuar në sektorin energjetik kanë qenë të shumta, ku bien në sy dy aplikime për ndërtimin e parqeve eolike në Karaburun dhe Topojë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.