Aplikimet për kartat e identitetit – Voda: Nxitoni, në dhjetor fluks i lëshimit të pasaportave biometrike
Qytetarët të cilëve u përfundon afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit ID duhet të nxitojnë për aplikime, për të shmangur një tjetër fluks dhe muajin dhjetor, atë për lëshimin e pasaportave biometrike. Thirrja vjen nga zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda gjatë inspektimit të zyrave të aplikimit për kartat e identitetit në Njësinë Administrative Nr. 8 e 9 në kryeqytet.
Voda shtoi se infrastruktura është ngritur në bashkëpunim edhe me njësitë e qeverisjes vendore dhe qytetarët tashmë kanë mundësinë që në mënyrë komode të vijnë e të pajisen me karta.
Zv/ministrja nënvizoi se pajisja me kartat e reja shërben që qytetarët të marrin shërbime në institucione të tjera publike apo private, si në banka apo edhe për lëvizjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ato vende ku lëvizet me me këtë dokument.
“Kemi vënë re një ulje të fluksit të aplikimeve për karta të identiteti kohët e fundit, kjo ndoshta edhe për shkak të vendimit për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë, por ne u bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë të aplikojnë, të mos e lënë për momentin e fundit, pra në dhjetor, pasi do të ketë një fluks tjetër, i cili ai është i lëshimit të pasaportave biometrike, çka do të vështirësojë në një farë mënyrë edhe pajisjen me karta identiteti.
Sigurisht që pajisja me kartat e reja shërben që edhe qytetarët të marrin shërbime në institucione të tjera publike apo private, si në banka apo për lëvizjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ato vende ku lëvizet me karta identiteti, kështu që duke qenë se infrastruktura është ngritur në bashkëpunim edhe me njësitë e qeverisjes vendore dhe qytetarët tashmë kanë mundësinë që në mënyrë komode të vijnë e të pajisen me karta, ne u bëjmë thirrje të gjithëve, të mos e lënë për moment të fundit, të vijnë, të aplikojnë dhe të pajisen me kartat e reja të identitetit”, apeloi zv.ministrja e Brendshme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.