Aplikimi për dokumenta identifikimi, Lleshaj: Të enjten nis procesi me procedurë të thjeshtuar, pa formular policie
Duke filluar që nga dita e enjte qytetarët mund të ri-aplikojnë për pasaporta me procedurë të thjeshtuar, pa formular policie. Ministri I Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një prononcim për këtë çështje u shpreh se Ministria e Brendshme mbetet e angazhuar per ofrimin e shërbimeve online që shkurtojnë kohë dhe shpenzime për qytetarët
“Viti 2020 ka qenë një vit i rëndësishëm sa i përket shtimit të gamës së shërbimeve për qytetarët, të cilat janë spostuar kryesisht në fushën e shërbimeve dixhitale. Dhe kjo ka lehtësuar jashtëzakonisht shumë barrën e qytetarëve, të cilët janë detyruar prej vitesh të harxhojnë orë të tëra pranë sporteleve ndërkohë që kjo kohë tani u mbetet në dispozicion atyre.
Në këtë kuadër Ministria e Brendshme ka ofruar një numër të madh shërbimesh online dhe sot jemi këtu për të prezantuar një tjetër risi, një tjetër lehtësim të barrës për qytetarët që ka të bëjë me aplikimin për pasaporta udhëtimi.”
Sipas Lleshajt, shtetasit që kanë mbushur moshën 75 vjeç do të pajisen me karta identiteti pa afat skadence.
“Në ndryshim nga praktika e deritanishme, tashmë për ri-aplikimin janë hequr detyrimet për t’u paraqitur pranë policisë, për të bërë aplikim dhe për të plotësuar formularë pranë Policisë së Shtetit. Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online. Një risi tjetër, e cila ka kohë që ka ndodhur lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie që do të thotë që kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence, që është po ashtu një lehtësi dhe shërbim i ri në favor të qytetarëve.”
Ministri i Brendshëm i bëri thirrje për të gjithë shtetasit që u ka skaduar ose që do t’u skadojë karta e identitetit, gjatë këtij viti, të aplikojnë në kohë për t’u ripajisur me këtë dokument.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.