Aplikimi për kredi në Lidhjen e Kombeve – Çfarë gjeti në Shqipërinë e viteve ’20 profesori i ekonomisë, Albert Calmes
Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të vuante problematika serioze ekonomike e ndaj do të kishte diskutime të shumta lidhur me rrugën që duhej ndjekur për të arritur zhvillimin e vendit. Në këtë periudhë, në Shqipëri do të vinin studiues të huaj që do të analizonin potencialin ekonomik të vendit.
Dy mendimet kryesore që mbizotëronin në vitet e para të Pavarësisë së vendit ishin ato për sigurimin e të ardhurave ekonomike përmes koncesioneve që do t’i siguronin disa të ardhura arkës së shtetit, ndërsa rryma tjetër do të ishte ajo e marrjes së një mbështetje financiare nga jashtë e përmes rolit të shtrukturave shtetërore të vihej në efiçencë pasuria nëntokësore.
Për të shmangur varësinë ekonomike që mund të krijonin koncesionet e kompanive të huaja, rruga e parë që u ndoq ishte ajo e kërkesës për një kredi nga jashtë. E në vitin 1922, Shqipëria do t’i drejtohej për një kredi Lidhjes së Kombeve, ku kishte pak kohë që ishte anëtarësuar.
Përballë kësaj kërkese, Lidhja e Kombeve do të merrte vendim që të dërgonte në Shqipëri një ekspert që të analizonte situatën ekonomike të Shqipërisë. Eksperti i përzgjedhur do të ishte Albert Calmes, një profesor ekonomie nga Luksemburgu.
Ai studioi edhe shkaqet e prapambetjes së Shqipërisë dhe analizoi strukturën ekonomike e shoqërore të vendit. Gjatë realizimit të studimit, profesor Calmes do të vuante nga mungesa e datave, statistikave, studimeve e planeve e konkrete për Shqipërinë.
Në raportin e tij, Calmes shfaq si problem mungesën e statistikave. Numri i prodhuesve dhe natyra e produkteve nuk ishin të certifikuar ndërsa sistemi ekonomik shqiptar ishte ekstremisht primitiv. “Secili bën përpjekje që të përmbushë nevojat e tij, përveç kripës dhe duhanit që është i detyruar që t’i blejë. Secila familje kultivon tokën e saj dhe prodhon bukë dhe mish, li, lesh e lëkurë që i mundësojnë burimet e tij për të siguruar ushqimin, ngrohjen e veshjen” shkruhej në raport.
Shumica e fshatarëve shqiptarë në atë periudhë vlerësoheshin se ishin në kushtet e plotësimit të nevojave personale dhe kjo, sipas Calmes, vetëm për faktin se kërkesat e tyre janë ekstremisht të limituara. Më pak fjalë, sepse Shqipëria ishte në një stad zhvillimi e civilizimi të prapambetur.
Në studimin e tij Calmes vlerëson si progres faktin se Shqipëria ka një emigracion të zhvilluar që mban kontakte me vendlindjen. E kjo konsiderohet një shenjë progresi për zhvillimin e ekonomisë në të ardhmen.
“Rreth 50 mijë shqiptarë kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara e shumica prej tyre nuk janë të arsimuar e janë të prirur të pranojnë punët më të vështira. Nëse do të kishin lindur të papunë, ata do të kishin qendruar në shtëpi” shkruan Calmes në raport.
Sa i përket situatës së rrugëve, Calmes evidenton se Shqipëria ka pak rrugë, që janë dëmtuara e jo praktike. Këto rrugë, sipas tij, janë rrugë tregtare të varfëra çka nënkupton se ato nuk mund të përdoreshin për qëllime tregtare.
“Në këto kushte është e qartë se nuk ka mundësi për shkëmbime tregtare mes pjesëve të caktuara të Shqipërisë. Politikisht Shqipëria është një shtet por ekonomikisht nuk është i tillë. Ajo është një grumbull i papërshtatshëm i distrikteve ekonomike e tregjeve lokale të izoluar nga njëri tjetri. E vetmja mënyrë është të shkosh në Shkodër përmes detit. Shkodra eksporton lëkurën në Itali ndërsa gjirokastritët duhet të shkojnë në Itali që t’i blejnë ato.
Në rastin e vajit të ullirit, situata përmbyset. Arsyeja është se këto distrikte kanë disa mënyra komunikimi me Italinë po jo me njeri tjetrin. Gjirokastrës i duhet të importojë drithëra dhe i blen ato në Itali edhe pse provinca fqinje Berati prodhon më shumë sesa i nevojitet por në kushtet kur mungojnë rrugët, nuk mund t’i shesë ato në Gjirokastër.
Për të njëjtën arsye, fshatarët e rajonit prodhues të Beratit nuk janë të prirur të prodhojnë përtej nevojave të tyre sepse nuk e dinë se ku mund të gjejnë treg për prodhimin që u tepron. Në terësi, pjesë të caktuara të Shqipërisë nuk mund të realizojnë shkëmbime tregtie dhe pa u ndërtuar rrugët, është e qartë se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë njësi ekonomike” shkruhej në raport.
Në raport Calmes evidenton gjithashtu se në Shqipëri nuk ka industri të mirëfilltë. Ajo që mund të thuhet ekzistonte në vitet ‘20 ishte vetëm industria bujqësore, që tentonte me mjete primitive të përpunonte lëndët e para. Industria më e zhvilluar vlerësohej ajo e mullinjve por që sërish ishte nën nevojën që kishte vendi që çdo vit importonte miell në vlerën e 1 milion frangave. Edhe për produkte të tjera ushqimore, Calmes evidenton të njëjtën problematikë.
“Ulliri kultivohet masivisht në Shqipëri dhe ka disa fabrika përpunimi në të cilat metodat janë primitive. Shqipëria eksporton ullinj dhe vaj ulliri në Itali për qëllime rafinimi. Në 1921, ajo eksportoi 1310 ton ullinj në vlerë 352 mijë franga ari vetëm në Itali dhe 208 ton vaj ulliri në vlerë 354 mijë franga, thuajse të gjithë në Itali.
Industria e djathtit njeh njëfarë zhvillimi në Gjirokastër. Ky produkt eksportohet përmes portit të Sarandës. Në 1921, eksporti i djathit eskluzivisht në Greqi arriti vlerën e 179 mijë frangave.
Përpunimi i cigareve ka njohur gjithashtu njëfarë zhvillimi por vetëm në dyqanet lokale tregtohet. Tregtia shqiptare është një aset i një rëndësie të madhe në të ardhmen ekonomike të vendit. Ndryshe nga sa ndodh ku fermerët janë të paditur e të pashkolluar, tregtarët janë ndryshe dhe zotërojnë disa aftësi edukative dhe janë të aftë të përfitojnë e të adaptojnë ide të reja. Te kjo kategori mund të qendrojë klasa e re intelektuale që ndonjë ditë do të marrë në kontroll jetën ekonomike të vendit” vijonte raporti.
Në vitet ’20, tregtia e jashtme zhvillohej me franga ari dhe me lira italiane. Tregtia e jashtme e Shqipërisë bazohej më Italinë që mbante peshën më të madhe të shkëmbimeve tregtare, për të vijuar më Greqinë, Britaninë e Madhe, Austrinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në fund me vendet e tjera ballkanike.
Në listën e produkteve kryesore që importoheshin ishin misri, orizi, mielli, kripa, frutat e thata e veshjet si dhe materiale ndërtimi si çimento, porcelan etj. Ndërkohë, deficiti tregtar mbështetej nga dërgesat e emigrantëve, ku vendin e parë e mbanin ata amerikanë.
Rezulton se, sipas raportit, rreth 50 mijë emigrantë shqiptarë dërgonin mesatarisht në vit në Shqipëri 800 mijë deri në 1 milion dollarë në vit.
“Nga pikëpamja financiare, Shqipëria nuk është në një situatë të keqe” shkruante Calmes në raportin e tij.
Veç faktit se Shqipëria nuk kishte borxh, një element pozitiv që vlerësohej ishte se mungesa e monedhës kombëtare nuk kishte krijuar vështirësi për shkaqe zhvlerësimi, sikurse kishte ndodhur me vendet e tjera.
Në Shqipëri përdoreshin thuajse të gjitha monedhat e huaja, çka lehtësonte shkëmbimet. “Këto janë rrethana shumë të favorshme, veçanërisht në qoftë se kujtojë se me çfarë vështirësish dhe me çfarë aventurash financiare kanë kaluar shpesh vendet e tjera të reja në ekzistencën e tyre” vijon raporti.
Gjithsesi nga pikëpamja ekonomike, Calmes shkruan se situata ekzistuese në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar.
“Cili është ilaçi? Prodhimi’ shkruan në raport Calmes ndërsa sugjeron zgjidhjet për fuqizimin ekonomik të vendit.
“Vendi zotëron një nëntokë dhe një popullatë që përbëjnë elementët e nevojshëm për t’u bërë një shtet i begatë.
Por kjo pasuri është në gjendje të fjetur e duhet të eksplorohet.
Kjo mund të arrihet përmes disa stadeve zhvillimore, shpejtësia e të cilëve varet nga inkurajimi që mund të jepet përmes qeverisë, në iniciativën e dëshmuar dhe shembullin e dhënë për masat nga shqiptarët më inteligjentë, ashtu sikurse nga zhvillimi intelektual i njerëzve dhe nëse nevojitet nga mbështetja e kapitalit të huaj.
Për shumë kohë në të ardhmen, shteti shqiptar do të duhet të luajë rolin e promotorit dhe nismëtarit- një rol i cili, në një stad më të lartë civilizimi, mbushet nga kompanitë private.
Shteti shqiptar zotëron burime të kufizuara që janë të papërshtatshme për punën që e pret. Me industrinë e kufizuar e popullsinë e shpërndarë, ai ka një detyrë të vështirë për të përmbushur.
Për të përmendur këtu nevojat më të ngutshme, Shqipëria do të duhet të ndërtojë e të riparojë mijëra kilometra rrugë, të hapë qindra shkolla, të ndërmarrë skema kullimi dhe sistemi të ujit dhe të organizojë shëndetin publik në mënyrë që të rrisë popullatën.
Në kushtet e një disproporcioni mes nevojave dhe burimeve, do të nevojitet të bëhet një vijë ndarëse mes asaj çfarë është e domosdoshme dhe asaj çfarë kërkohet, mes çështjeve urgjente dhe planeve për të ardhmen. Problemet më urgjente janë
-Ndërtimi i rrugëve
-Zhvillimi i bujqësisë, sëbashku me bonifikimin e tokave e me fushatën kundër malarjes
-Krijimi i bankës” shkruhej në raport.
“Cilado qofshin nevojat, Shqipëria është, mesa duket, padyshim një shtet ekzistenca e të cilit varet nga marrja e një kredie.
E vërtetë, një kredi e huaj do të ishte një ndihmesë e madhe për të, do të shpejtonte zhvillimin ekonomik të saj e do të kontribuonte jo pak për të siguruar stabilitetin politik në Ballkan; por Shqipëria do të bënte më mirë që të mbështetej në burimet e brendshme sesa të priste ndihmën e kapitalit të huaj.
Krahas kësaj, vendi kurrsesi nuk vuan nga mungesa e kapitalit, dhe kur të themelohet një bankë – dhe ky do të ishte institucioni për të cilin Shqipëria aktualisht ka më tepër nevojë, dhe i cili do të ishte më fitimprurësi për ata që do të rrezikonin ta ndërmerrnin një institucion të tillë – mundësitë e kreditimit nuk do të vonojnë që të hapen si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.
Por, për të arritur këtë, shqiptarët do të duhet të mbajnë parasysh se kreditim do të thotë mirëbesim, dhe se pa siguri nuk ka mirëbesim.
E mbrojtur nga Lidhja e Kombeve, Shqipëria e ka të garantuar sigurinë nga jashtë. Siguria nga brenda vendit varet fund e krye nga urtësia politike e vetë shqiptarëve” mbyllet raporti.
Lidhja e Kombeve nuk i dha Shqipërisë huanë e kërkuar e as formoi ndonjë grup financiar ndërkombëtar që të merrte përsipër themelimin e bankës së emisionit.
Ndër arsyet kryesore, sipas dëshmive të asaj periudhe, ishte se kredia nuk u akordua për shkak se Shqipëria ishte vend i prapambetur ekonomikisht e nuk paraqiste garanci të mjaftueshme për kapitalet e investuara, përveçse vendi shihej edhe si zonë influence italiane.
Në kushtet kur nuk u miratua kredia e kur vendet të ndryshme europiane kishin shfaqur interes për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë që kishte burime të kufizuara për ta bërë një gjë të tillë vetë, qeveria shqiptare e kohës do të ndiqte rrugën e dhënies së koncesioneve për kompani të huaja që do të zbulonin e shfrytëzonin pasuritë natyrore.
Ky proces do të shoqërohej nga konkurrenca e fortë mes kompanive të huaja por edhe nga debatet të forta mes forcave politike në Shqipëri.
k.k/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.