Apple në negociata për të blerë aplikacionin Shazam – Marrëveshja mund të kapë vlerën 300 milionë dollarë
Kompania amerikane, e njohur për prodhimin e iPhone, Apple, është duke planifikuar të blerë Shazam, aplikacionin për zbulimin e muzikës. Sipas raportimeve të para, mendohet se shifrat e marrëveshjes mund të arrijnë në rreth 300 milionë dollarë.
Shazam u themelua në vitin 1999 dhe fillimisht operonte një shërbim me telefon, ku përdoruesi duhet të mbante telefonin pranë burimit të muzikës, ndërsa më pas do t’i vinte një mesazh me emrin e këngës dhe të artistit.
Gjthçka ndryshoi në vitin 2008, me lançimin e App Store, kur kompania prezantoi një aplikacion për iPhone. Programi është një prej më të shkarkuarve të të gjithë kohërave dhe vijon të jetë mes 100 më të përdorurve.
Asistenti zanor i Apple, Siri, prej disa vitesh tashmë ka prezantuar opsionin e njohjes së këngëve, por nuk është aq i shpejtë dhe i saktë sa Shazam. Duke përdorur teknologjinë e Shazam, jo vetëm që do të përmirësohej ky opsion tek Siri, por Apple mund ta përdorë edhe për të mësuar më tepër mbi preferencat e konsumatorëve.
Vitin tjetër, Apple planifikon edhe lëshimin e HomePod, një pajisje të ngjashme me Google Home dhe Amazon Echo, pra altoparlantë inteligjentë. Kjo pajisje do të bazohet tek Siri, çka e bën edhe më të nevojshëm Shazam për të tejkaluar konkurrencën.
Mendohet se Apple mund të modifikojë edhe vetë aplikacionin, duke shtuar opsionin për blerjen e këngëve në shërbimin e tij, iTunes.
Nga një vlerësim i vitit 2015, Shazam raportohet se vlen rreth 1 miliardë dollarë. Pavarësisht shumës së shitjes, ajo do të ishte më e madhja ndonjëherë e një kompanie britanike nga një gjigand i Silicon Valley.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.