Apple njofton planin e ri – Rikthehet në ShBA, do të injektojë $350 mld në ekonomi

Strategjia e re e Apple flet për një kampus të ri, 20 mijë vende të reja pune dhe një kontribut në ekonominë e vendit prej 350 miliardë dollarësh. Këtë e ka bërë të ditur vetë “Molla” nëpërmjet një njoftimi. Strategjia e re për të investuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se merr hov nga reforma më e fundit fiskale e administratës amerikane.
Apple ka vendosur kështu që të rikthejë në atdhe paratë e depozituara jashtë vendit, si pasojë e uljes së taksës mbi këtë veprim, nga 35% në 14.5%. Kjo do të thotë se, Apple do të duhet të paguajë plot 38 miliardë dollarë taksa dhe se pozitat e Apple si taksapaguesi më i madh në Shtetet e Bashkuara do të forcohen edhe më. Aktualisht, Apple është përgjegjëse për 2 milionë vende pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Plani në fjalë është i vlefshëm për pesë vitet e ardhshme.
Kampusi i ri, pjesë e kësaj strategjie do të jetë i dyti në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ende nuk është vendosur vendi ku do të ndërtohet kampusi i ri, por me shumë gjasa, do të ndodhë e njëjta gjë si me Amazon, kur qindra qytete të ndryshme u vetëkandiduan për të strehuar godinën e re të Amazon. Ka mjaftuar ky njoftim që titulli i Apple në bursë të ngjitet ndjeshëm. Njoftimi ka bërë që Apple të tejkalojë sërish vlerën e kapitalizimit në treg prej 900 miliardë dollarësh.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.