Apple projekton të ardhmen – Do të fusë inteligjencën artificiale në çdo pajisje
Apple është në pararojë kur bëhet fjalë për teknologjinë e fundit, por jo kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale, pavarësisht se gjigandi amerikan ishte ndër të parët që përqafoi këtë teknologji, që në vitin 2011, me programin Siri, që shërben si asistent vokal.
Por, Molla ka bërë një hap tjetër përpara duke futur inteligjencën artificiale nëpër çipe. Kompania është duke punuar intensivisht mbi një procesor të lidhur ngushtë me inteligjencën artificiale, thonë burime konfidenciale brenda Mollës. Chipi në fjalë, i njohur brenda kompanisë si Apple Neural Engine do të përmirësojë mënyrën sesi pajisjet i menaxhojnë veprimet të cilat kanë nevojë për inteligjencën njerëzore, si njohja e fytyrës apo ajo e zërit, thotë i njëjti burim, i cili ka preferuar të mbetet anonim.
Vetë kompania ndërkohë nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me çështjen. Në këtë mënyrë, Molla synon që të arrijë hapin e konkurrentëve të tjerë si Amazon apo Alphabet sa i përket shtrirjes së kësaj teknologjie. Të dyja këto kompani kanë nxjerrë në treg produkte që përdorin pikërisht inteligjencën artificiale.
Apple e ka vendosur të ardhmen e saj në dy drejtime, makinat pa shofer dhe realitetin e zmadhuar, dhe që të dyja bazohen te inteligjenca artificiale. Çipi i ri ndërkohë, është ende në fazë zhvillimi mësohet se do të integrohet në të gjitha pajisjet, përfshirë Iphone dhe Ipad.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.