Apple publikon performancën – Rritet ndjeshëm çmimi mesatar për iPhone dhe të ardhurat për aksion
Apple ka raportuar rezultate të forta për tremujorin e tretë fiskal, me një rritje të fortë të të ardhurave për aksion dhe çmimeve mesatare të shitjes së iPhone.
Raporti i tremujorit vjen pas një përmbysjeje të aksioneve të teknologjisë gjatë javës së kaluar, ndërkohë që Facebook dhe Twittër humbën rreth 20% në vlerë tregu. Aksionet e Apple u rritën me 4% gjatë sesionit tregtar.
Të ardhurat për aksion (EPS) u rritën me 40% me bazë vjetore, duke prekur 2.34 dollarë. Të ardhurat totale të kompanisë, u rritën me 17% në 53.3 miliardë dollarë.
Shitjet gjatë periudhës mbetën thuajse të pandryshuara në 41.3 milionë iPhone. Megjithatë, çmimi mesatar i shitjes (ASP), u rrit në 724 dollarë, kryesisht prej produktit të fundit iPhone X, që nis në 999 dollarë.
Apple lajmëroi gjithashtu rritje me 60% në produktet e tjera, që përfshijnë Apple Watch, AirPods dhe kufjet Beats. Kategoria e plotë e “produkteve të tjera”, që përfshin edhe HomePod, solli një rritje me 37% në të ardhura, në një total prej 3.74 miliardë dollarë.
Apple publikoi të ardhura prej 9.55 miliardë dollarë nga shërbimet në tremujorin e tretë, në rritje me 28%, sipër projeksioneve të analistëve. “Apple Pay vazhdon të zgjerohet, duke prekur më shumë se 1 miliardë transaksione në tremujorin e fundit, sa 3-fishi i sasisë së regjistruar 1 vit më parë. Ne kemi procesuar më shumë transaksione se kompani si PayPal”, tha Tim Cook, ekzekutivi i kompanisë.
Apple ka shmangur deri më tani luftën tregtare me Kinën, por ndërkohë që të dy vendet po përshpejtojnë vendosjen e tarifave, kompania mund të nisë të ndiejë efektet. Pjesa më e madhe e zinxhirit të furnizimit të Apple ndodhet në Kinë dhe vendi përbën burimin e dytë më të madh të të ardhurave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.