“Arena Kombëtare” zyrtarisht kandidate për Superkupën UEFA të vitit 2020
Stadiumi “Arena Kombëtare” që po ndërtohet në kryeqytet është tashmë një kandidaturë zyrtare për të pritur ndeshjen e Superkupës UEFA në vitin 2020.
Federata Shqiptare e Futbollit ka depozituar sot zyrtarisht në UEFA aplikimin e saj për organizimin e këtij eventi. Grupi i punës për përfundimin e dosjes së plotë të dokumentacionit për kandidaturën përkatëse ka mbyllur të gjithë praktikën e aplikimit.
Interesin për të pritur këtë megaevent të futbollit europian e kanë shprehur edhe Bjellorusia, Finlanda, Franca me stadiumin e Nice, Izraeli, Kazakistani, Moldavia, Irlanda e Veriut dhe Portugalia me stadiumin Dragao në Porto.
Data 29 Mars ka qenë afati i fundit i aplikimit, ndërsa komiteti ekzektutiv i UEFA pritet të vendosë për federatën mikpritëse në Maj të këtij viti.
“Ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit Europian, vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare, si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në vend, e nxitur kjo, edhe nga përfundimi i shpejtë i “Arenës Kombëtare”, punimet e të cilit vijojnë me intensitet shumë të lartë. Organizimi në kryeqytet i Superkupës Europiane merr një rëndësi absolute, jo thjesht nga pikëpamja sportive, por mbi të gjitha, edhe për imazhin e Shqipërisë, dhe sidomos Tiranës”, shprehet FSHF në deklaratën zyrtare.
Që prej vitit 2013, superkupa e UEFA-s është organizuar në stadiume të ndryshme, teksa më parë zhvillohej vetëm në Monaco. Ajo nënkupton përballjen e ekipit fitues të Champions League me atë të Europa League, një ndeshje që ndiqet nga mijëra tifozë në stadium dhe miliona spektatorë. Vitin e kaluar kjo finale u zhvillua në Shkup në stadiumin “Arena Filipi II”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.