“Argument” – Aktakuza ndaj Thaçi dhe Veselit, ekspertët: “Fitore për Serbinë, Kosovës po i tregohet dera e pasme e Brukselit”
Në emisionin e mbrëmjes së sotme “Argument” me gazetarin Enio Civic ka qenë i ftuar Ben Andoni dhe Aleksandër Çipa për të folur mbi ngjarjet më kryesore që po shqetësojnë Ballkanin Perëndimor dhe që gjerësisht janë cilësuar si negative në përmbajtjen e tyre, si edhe dëmtojnë akoma më shumë perspektivën për paqe në të ardhmen.
Aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me seli në Hagë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin ishte si një minë me sahat që shpërtheu përpara takimit që pritej të mbahej nga zyrtarët më të lartë shqiptaro-serb në Uashington për të folur mbi një marrëveshje paqeje.
Ben Andoni pyetur nga gazetari Civici mbi kohën që është ngritur kjo aktakuzë, pikërisht tre ditë përpara takimit është shprehur se padyshim që ajo ngjan mjaft e sajuar dhe një veprim që kapi në befasi edhe vetë administratën amerikane. Në Kosovë, z.Andoni tregoi se diskutohej me kohë për këtë akuzë mbi Thaçin, por që publikimi i saj tre ditë përpara takimit ngre shumë dyshime.
Sipas tij me këtë lëvizje ka fituar padyshim Serbia, ndërsa Kosova ka humbur mjaft:
“Me këtë lëvizje ka fituar Serbia taktikisht dhe ka humbur Kosova. Ajo që po pret Kosova është një vështirësi e madhe dhe duhet të përballet me një realitet tjetër. Është më e detyrueshme se kurrë një unifikim i brendshëm i Kosovës në këto momente.
Goditjen e parë e ka marrë disa orë më parë, ku në Bruksel ka pasur dy regjistra, ku në njërin është folur krejt tjetër zyrtarisht, ndërsa pala kosovare është shprehur se ka folur për vizat. Po shohim që Kosovës po i jepet dera e pasme e Brukselit.
Tashmë, fillon një proces i vështirë për Kosovën. Gjëja që më bën përshtypje është se kemi humbur kohë, ndërkohë që Serbia e ka blerë atë. Kosova në negociata është futur një regjistër më poshtë, duke i dhënë vazhdimisht Serbisë terren.” – u shpreh z.Andoni në deklaratën e tij.
Ndërkohë për Aleksandër Çipën, Kosova ka humbur shumë kohë në arenën ndërkombëtare duke konsumuar kohën e artë në dispozicion me papërgjegjshmëri, por edhe me një indiferencë shumë pësuese. Sipas tij, aktakuza e shpallur në mënyrë të befasishme është një goditje e rëndë për imazhin e Kosovës, e cila lë dyshime edhe për një konspiracion kundër vendit.
Ndërkohë, në analizë z.Andoni është shprehur se me shtetin shqiptar nga ana diplomatike po bëhet edhe një lojë e Fuqive të Mëdha dhe interesave të tyre, përplasja e të cilave po sjell këto pasoja:
“Këto përplasje janë edhe arsyet pse po shemben ngjarjet dhe takimet e paralajmëruara. Në rastin konkret nëse ka rënë takimi i 27 qershorit në Uashington nga ana tjetër diplomacia europiane ka një rast shumë të mirë për t’i kthyer bisedimet në Bruksel dhe ky është interesi me valixhen diplomatike që mbajnë kontinentet e mëdha në raport me këtë çështje.
Për këtë arsye duhej që palët në Kosovë dhe në Shqipëri përpara se të kishin votuar krijimin e Gjyaktës Speciale që e ka bazën në Hagë, të ndërtonin një strategji, që të mos e kthenin Kosovën nga një viktimë e gjenocidit në një fajtore të tij.” – u shpreh ai në fjalën e tij.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.