“Argument” – Bilanci i vitit 2019, cilat ishin pasojat e klimës së ashpër politike në vend
Paneli i të ftuarve në studion e “Argument” duke diskutuar rreth ngjarjeve më të rëndësishme që ndodhën në vitin 2019, nuk mund të mos sillnin në vëmendje edhe protestat e shumta dhe vendimet e drastike që opozita e vendit mori duke prodhuar kështu një parlament jo tërësisht funksional dhe zgjedhje lokale, ku në shumicën e Bashkive kishte vetëm nga një kandidat.
Genti Beqiri u shpreh se protestat dhe vendimet drastike që opozita mori kishin të bënin drejtpërdrejtë me reformat në Drejtësi. Sipas tij ambasada amerikane ka qenë ajo, e cila ka bërë më së shumti presion ndaj aktorëve politikë të vendit:
“Për mendimin tim protestat janë diçka e mirë dhe që i shërbejnë emancipimit politik, edhe pse do të doja të shihja protesta të frymëzuara nga motive të tjera përveç partive politike. Shoqëria jonë vazhdon të ketë të njëjtën kastë politike prej 30 vitesh, e cila nuk po prodhon më asgjë të re.”
Ndërkohë, ekspertja Suzana Gaxholli shprehu mendimin se qëndrimet e ambasadës amerikane nuk duhet të shihen si kundër opozitës dhe pro qeverisë. Sipas saj padyshim që largimi nga Kuvendi i opozitës ishte një hap drastik, në të cilin Ambasada nuk mund të rrinte e heshtur dhe që më pas u vërtetua se la mjaft vakume në jetën politike të vendit. Sipas znj. Gaxholli situata politike duhet ndryshuar dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi brezi i ri, i cili sipas ka fajet kryesore për mos-dhënien e një alternative ndryshe për qytetarët dhe që nuk ka prodhuar më lidera të rinj.
Peadogu Prifti e shpjegoi situatën e një revolucioni politik dhe kulturor nga një pikëpamje tjetër.
“Nëpër botë ke protesta gjithandej dhe po bëhen revolucione të mëdha. Unë së bashku me të tjerë njerëz të apasionuar, po e tentojmë një lëvizje të tillë, por gjatë rrugëtimit u shtangëm pasi situata në terren ishte shumë më ndryshe seç e menduam. Barriera me të cilën u përballëm nuk kishte të bënte me ballafaqimin e ideve, por pamë diskutimi është ordiner në nivelet më të larta ministrore, ku gjithandej përballesh me zyrtarë që shajnë dhe kërcënojnë në emër të pushtetit. Kam idealin dhe iniciativën, për ta çuar përpara këtë iniciativë, por këtu është bërë xhungël dhe argumente e kanë humbur vlerën e tyre. Ne duhet ta flasim realitetin ashtu siç është pa krijuar ide në kokat tona.” – u shpreh ai.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.