“Argument” – Crawford: “Nëse Trump fiton projekti i Skavicës do përfundojë. Administrata Obama solli vetëm probleme për Shqipërinë”
I ftuar në “Argument” mbrëmjen e sotme me gazetarin Enio Civici ishte Mark Crawford, anëtar i partisë Republikane në Amerikë për të folur mbi zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen në Amerikë, teksa gara po vjen në ditët e fundit të saj dhe debatet po bëhen gjithnjë e më të nxehta.
Siç dihet zgjedhja e një presidenti në Amerikë ka një ndikim shumë të madh edhe në botë për shkak të fuqisë ushtarake dhe ekonomike që ky shtet paraqet. Por, gjithashtu Amerika mbete edhe një aleat strategjik i Shqipërisë dhe së fundmi është investuar edhe në rajon, duke përmendur marrëveshjen midis Serbisë dhe Kosovës si shembulli më i mirë i kësaj.
Z.Crawford u shpreh se të dy kandidatët janë të njohur për publikun shqiptar dhe botëror, Biden për shkak të eksperiencës së gjatë në politikë, ndërsa Trump për famën e tij televizive.
Duke folur në plan ekonomik, social dhe diplomatik ai u shpreh se diferencat ndërmjet programeve të kandidatëve janë të mëdha:
“Për ne që jemi amerikanë programet e të dy kandidatëve kanë shumë ndryshim, madje Biden do dyfishojë taksat për investitorët që duan të bëjnë biznes jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë. Ndërsa Trump po përpiqet t’i ulë akoma edhe më shumë këto taksa dhe mendon se është forma e duhur për të ringjallur ekonominë.
Sa i përket diplomacisë Biden ka qenë në Washington prej 47 vitesh dhe ka një eksperiencë shumë të gjatë, por ka 26 vite që nuk arrin dot një marrëveshje paqe, ndërsa Trump ka bërë shumë marrëveshje paqeje në këto kohët e fundit.
Në aspektin rajonal nëse Trump fiton do të mbajë të gjallë marrëveshjen e Kosovës, ndërsa Biden do të jetë disi më “gjumash” në këtë aspekt. Gjithashtu në Shqipëri ne kemi parë se administrata e Obamës, në të cilën edhe Biden ka qenë pjesë, nuk ka sjellë ndonjë gjë pozitive, pasi ka sjellë çështjet si refugjatët dhe armët kimike në Shqipëri.
Kur ishte Biden senator ai ka ndihmuar Kosovën, por pas kësaj ka bërë shumë pak. Një letër mund të kishte bërë kushdo, ndërsa gjëra konkrete nuk kemi ende. Trumpi ndoshta nuk ka shumë lidhje historike me rajonin, por kur ai vendos diçka e bën. Ai ka vendosur që të investojë në Serbi dhe Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Në vendin tuaj mund të marrim shembullin e hidrocentralit të Skavicës dhe nëse administrata e Trump ka marrë iniciativën për të investuar në ndërtimin e saj, ky projekt do të vazhdojë të përfundohet nëse Trump fiton, ndërsa me Biden duhet të presim edhe një shekull.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.