“Argument” – Goditja e rëndë e bizneseve në tremujorin e parë. Ekspertët tregojnë një panoramë ‘të hidhur’
Në emisionin “Argument” mbrëmjen e sotme është diskutuar mbi statistikat e fundit të INSTAT që marrin në konsideratë disa prej indikatorëve më të rëndësishëm të biznesit, siç është volumi i shitjes së tyre dhe perfomanca gjatë tremujorit të parë.
Shifrat tregojnë një panoramë jo të mirë, me disa prej sektorëve kryesorë që janë goditur edhe në masën 50% dhe 80%, gjë e cila do të dërgojë edhe drejt një rimëkëmbje të vështirë në të ardhmen.
Të ftuar në studio rreth kësaj teme ishin tre ekspertë për të analizuar më tej këto shifra.
Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe ekspert ekonomie ka treguar se indikatori i borxhit të jashtëm ishte i parashikueshëm që do rritej, por sfida tashmë qëndron në menaxhimin e tij.
Sipas tij ende nuk ka një plan nga qeveria se si do jetë rimëkëmbja:
“Do kishte rënie të aktiviteteve, pra ishte një rënie e paralajmëruar dhe kjo do manifestohej në sektorët kryesorë dhe do ishin tre kanale kryesore që do prekeshin. E para turizmi, agrobiznesi dhe eksportet. Ajo që dua të theksoj është se për shkak të politikave fiskale, parave të hedhura në ekonomi, parashikohet që rënia të mos jetë aq e madhe, pro ka një gjë edhe më shqetësuese që rritja apo rikthimi në normalitet do të jetë më i gjatë.
Të rënia ne jemi familjarizuar, tashmë duhet të fokusohemi te politika fiskale, monetare dhe strukturore. Pra si do bëhet rigjallërimi i ekonomisë, në formë U-je, L-Je apo V-je.
Në bazë të një studimi që është bërë është evidentuar se paketat fiskale të qeverisë shqiptare ishin të paqarta, ishin jo në madhësinë e duhur dhe jo suportuese.
Unë besoj që ka ende vend për një paketë të re ndihmash tek pjesa e asistencës për papunësinë dhe varfërinë.”
Ndërkohë Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës së Tour-Operatorëve ka komentuar situatën në këtë sektor që sipas shifrave është edhe më i godituri nga pandemia:
“Mund të themi që doli edhe më keq seç e kishim parashikuar. Ishim skeptikë mjaftueshëm, por nuk e menduam në këtë mënyrë. Sektori më i goditur nga të gjithë kanë qenë operatorët turistikë dhe guidat.
Pothuajse në mbyllje është duke ardhur sezoni. Tregu shqipfolës shkoi kryesisht drejt jugut dhe hoteleria e jugut punoi me të njëjtin treg si më përpara. Me pak diferenca mund që mund të ishin vetëm të huajt dhe gjithashtu dihet se ajo zonë ka numër dhomash me kapacitete më të vogla. Tregu I akomodimit në Adriatik apo qytete si Berati, Gjirokastra, Shkdora dhe të tjera këto kanë vuajtur pasi këta mbahen nga të huajt dhe tour-operatorët.
E njëjta gjë dhe me plazhet. Është bërë pak punë në Vlorë dhe Durrës, pasi u kuptua që erdhën vetëm ukrainasit dhe rusët dhe shumë pak polakë, më pas ka qenë një tragjedi e vërtetë.”
Klodian Muço, pedagog ekonomie ka shpjeguar se rënia ekonomike e Shqipërisë do të jetë e madhe dhe se shifrat e para tregojnë një situatë shqetësuese:
“ Që në momentin e fillimit të pandemisë patëm një frenim të ekonomisë me 50%, që u bllokua dhe nuk funksionoi.
Shqipëria ka një GDP prej 15.6 miliardë nga 2019 dhe duke e përpjestuar me 12 muaj, i bie që ne prodhojmë diku tek 1.3 miliardë në muaj. Një mbyllje e ekonomisë me 50% i bie që ne humbisnim diku tek 650 milioën euro. Nga parashikimet e FMN-së u mendua se Shqipëria do humbte 2-3 miliardë. Ekonomia shqiptare do të bjerë deri në 5% nga shifrat e Minsitrisë së Financave.
BERZH thotë se rënia ekonomike e Shqipërisë mund të shikojë deri në 9.5%. Këto janë të dhëna për transportin dhe turizmin, që janë sektorët më të prekur dhe impakti i tyre nuk është i vogël në ekonomi, që shkon deri në 14-15 % të ekonomisë.
E para sipas ministres së Financave ne humbëm diku tek 83 mijë vende pune ndërsa çregjistrimet nga sistemi kanë shkuar në 57 mijë. K jo shifër i përket vetëm punësimit formal, por duhet parë sa është dëmtuar dhe punësimi informal. Shifra thuhet që mund të shkojë deri në 100 mijë. Mbas shtatorit do shihet ky impakt.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.