“Argument” – Klima e biznesit në Shqipëri, Bushati: “Sytë janë nga shteti në këtë periudhë”, Crawford: “Kjo fazë do të kalojë”
Në emisionin “Argument” me gazetarin Enio Civici, të hënën në mbrëmje, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati si dhe Mark Crawford, sipërmarrës amerikan në vendin tone, diskutuan për klimën e biznesit në Shqipëri në një kohë që kriza ekonomike është ulur këmbëkryq, por edhe pas një sërë publikimesh të rëndësishme që pasqyrojnë indikatorët më të rëndësishëm dhe problemet e thella në vendin tonë, si Barometri i Ballkanit 2020, por edhe indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Z.Crawford ka theksuar se kjo fazë ka qenë shumë e vështirë për bizneset e vogla, por që optimizmi ekziston për tejkalimin e kësaj faze:
“Unë edhe në biznesin tim kam pasur goxha vështirësi në këtë periudhë. Përveç se jam në gjendjen e pritjes, ne kishim disa blerje që ishim duke i bërë por tashmë në këto kushte i kemi shtyrë dhe ndodhemi në pritje. Nuk besoj se kriza do të ketë ndonjë ndikim shumë të thellë tek biznesi dhe besoj se shumica e tyre do ta kalojnë këtë krizë. Ndërkohë duhet theksuar se janë shumë biznese të vogla që kanë hasur vështirësira të mëdha gjatë kësaj periudhe dhe janë fasha më e prekur nga kjo histori.”
Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka theksuar se Shqipëria i ka kaluar me sukses krizat e forta që i ka servirur ky vit dhe se në të gjithë botën priten masa të forta ndërhyrje nga qeveritë:
“Shqipëria ka kaluar një test të fortë jo vetëm të ekonomisë, por edhe të kohezionit social dhe politik si me gjendjen e tërmetit ashtu edhe me pandeminë, e cila është në vazhdimësinë e saj. Sot, të bësh parashikime në çdo vend të botës është pothuajse e pamundur, plus do të thotë që shteti duhet të reagojë fort në ekonomi. Pavarësisht rrymave të mendimit, të majta apo të djathta dhe krahëve të ndryshme të mendimit filozofik në ekonomi, të gjithë e pranojnë se ndërhyrja e shtetit, si aktori më i fuqishëm në definicion është patjetër një domosdoshmëri. Prandaj, sot të gjithë i kanë sytë nga shteti si në SHBA, si në BE, Kinë dhe vende të tjera, për arsye shëndetësore, ekonomike dhe politike.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.