“Argument” – Klima e Biznesit në Shqipëri, ekspertët shpjegojnë situatën dhe problematikat

Në emisionin “Argument” mbrëmjen e sotme nga Enio Civici është folur për klimën e biznesit në Shqipëri.
Teksa çështja “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit, e cila ka përfshirë një kompani shqiptare dhe amerikane për licencën e shfrytëzimit, ishte lajmi që u diskutua shumë nga opinioni publik, në lidhje me mënyrën e trajtimit të investitorëve nga ana e qeverisë dhe sistemit të drejtësisë.
Gjykata Administrative ishte në favor të kompanisë shqiptare ADFD, e cila kishte marrë fillimisht autorizimin nga Ministria e Financave. Kjo solli reagimin e Ambasadës Amerikane dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë, që u shprehën se një trajtim i tillë sjell largimin e investitorëve të huaj dhe përkeqësimin e klimës së biznesit.
Pikërisht ideja e të bërit biznes dhe si paraqitet situata për këtë vit në Shqipëri ishte tema që u trajtua nga të ftuarit Alban Zusi, Mirela Pogaçi, Fatos Çoçoli, Kastriot Frashëri dhe Zen Marku.
Alban Zusi, në fjalën e tij u shpreh se këtë vit qeveria po tregohet më mbështetëse në biznesit dhe kjo duket në sjelljen e komisioneve parlamentare:
“Do doja të thoja që në radhë të parë është një fat që studio televizive në Shqipëri merren me klimën e biznesit, sepse në perceptimin e përgjithshëm mendohet se kur vjen puna te kjo temë flitet vetëm se si t’i bëjmë biznesmenët më të pasur, kur e vërteta është komplet ndryshe. Klima e biznesit është ajo që rrit vendet e punës, pagat dhe ndihmon ekonominë të rritet. Duhet të krijohet një klimë biznesi, që sipërmarrësit të ndihen mirë për të punuar dhe për të krijuar hapësira të reja. Ky vit hyri me psikologjinë e tërmetit të vitit të shkuar, por pozitivisht kam konstatuar një tendencë për të pasur një përmirësim të klimës së biznesit. Kemi hasur një klimë mbështetëse nga Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese. Do doja të thoja që ky vit po merr një qasje të re nga politikbërësit dhe mendoj se ka ndikuar neglizhenca e dy viteve të fundit dhe harrimi total i biznesit. Gati-gati ka pasur dhe një tendencë për ta agravuar klimën, siç është parë edhe nga statistikat. Tashmë ka një rikthim të vëmendjes, pasi qeveria ka kuptuar se rënia ekonomike nuk përmirësohet ndryshe. ”
Mirela Pogaçi, nga krahu tjetër vlerësoi se pasojat e tërmetit janë ende shumë të ndjeshme në ekonomi dhe do të jenë edhe në afatin e gjatë:
“Ndjesia nga komisionet parlamentare për klimën e biznesit patjetër janë të mira. Pas disa vitesh aktivitet edhe konsultimi publik ka ardhur duke u përmirësuar. Jemi në vite ku çdo gjë është online, prandaj qasja ka qenë pozitive dhe më e hapur. Për klimën e biznesit parametrat nuk do t’i konsideroja të mira. Një pjesë e mirë e bizneseve në qytetin e Durrësit dhe zonën e Vorës ku ndodhen subjektet më të mëdha të ekonomisë shqiptare, kanë pasur dëme të mëdha materiale, qoftë në asetet dhe në dyqanet e tyre. Dëmtime të tilla kanë sjellë pasoja në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Njerëzit që janë prekur nga fatkeqësia e kanë ulur konsumin. Sezoni festiv i fundvitit dhe tregoi gjithashtu se konsumi ishte shumë i dobët në shifra. Pra, ky vit nuk u mbyll mirë dhe nuk ka filluar mirë.”
Fatos Çoçoli, u shpreh se duhen dëgjuar më shumë thirrjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe se dëmet e tërmetit ishin shumë më të mëdha në klimën e biznesit seç ishte parashikuar:
“Të huajve që na vëzhgojnë dhe orientojnë pasi dinë më mirë, prej shumë kohësh bëjnë thirrje që të përmirësojmë klimën e biznesit, si një element vital në ekonominë tonë. Banka Botërore ka bërë thirrje dhe ka dhënë qindra milionë euro, por edhe vetë Ambasada Amerikane për të përmirësuar sistemin tonë. Janë partner të rëndësishëm dhe ata thonë që nuk jemi ende aty ku duhet me klimën e biznesit. E mira është se qeveria ka krijuar edhe Ministrinë e Sipërmarrjes që dëshiron të jetë e vlefshme. Tërmeti solli humbje në biznes 150 milionë euro nga raporti që u prezantua nga qeveria. Humbje kolosale dhe që pritet të ndikojë gjatë.”
Ndërkohë, Zen Marku i Yunus Social Business shprehet se legjislacioni është mjaft i ngatërruar dhe se shtetit nuk e kupton aspak biznesin social:
“Unë jam përfaqësues nga biznesi social. Biznesi social është si gjithë të tjerët. Ndryshimi është se përveç fitimit ka edhe impaktin për një kategori të caktuar njerëzish, nëpërmjet punësimit apo ndihmës, në të cilën fokusohet biznesi social. Gjithë problemet e të bërit biznes në Shqipëri janë edhe në këtë fushë. Biznesi social nuk kuptohet as nga tatimet as nga administrata publike. Kemi një legjislacion shumë të përzier dhe kemi bashkuar shumë ligje që bien në kontradiktë me njëra-tjetrën, gjë që sjell vështirësi për biznesin për të operuar. ”
I ftuari tjetër, Kastriot Frashëri, avokat dhe ekspert në çështjet ligjore, shprehet se klima e biznesit has në shumë vështirësi:
“Tema që ne po diskutojmë sot e të bërit biznes është një industri e tërë dhe lokomotiva e zhvillimit të ekonomisë. Ka një problematike të gjerë dhe mbart në vetvete problematika të ndryshme. Platformat që ka hapur qeveria shqiptare si “e-Albania” i japin mundësi biznesit për të shkurtuar kohën dhe takimin fizik me administratën, si një aspekt pozitiv. Nga ana ligjore nga çështja e fundit e “Duty Free” në Rinas, ndeshemi me aspekte që çdo biznes i has çdo ditë. Disa favorizohen nga qeveria dhe disa të tjerë nuk favorizohen dhe ligji është më i rëndë mbi ta. Konkurenca e pandershme, monopoli, informaliteti, korrupsioni, prokurorimet publike ku s’kualifikohen në mënyrë të padrejtë kompanitë janë disa nga problematikat.”
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.