“Argument” –Kuvendi në 2020-ën, Arben Pëllumbi: “Ky parlament ndër më të suksesshmit për produktin e tij”
Në mbrëmjen e sotme në emisionin “Argument” nga Enio Civici është diskutuar rreth seancës së parë të Kuvendit për vitin 2020, e cila ishte e shkurtër por mori disa vendime të rëndësishme, duke hedhur bazat mbi sfidat e rëndësishme që e presin në 2020-ën.
I ftuar në studio për të folur rreth kësaj teme ishte deputeti I Partisë Socialiste z.Arben Pëllumbi, që ka dhënë komentet e tij mbi punimet e Kuvendit gjate 2019-ës dhe pritshmëritë e saj për 2020-ën.
Në konkluzion z.Pëllumbi beson se Kuvendi ka prodhuar një produkt shumë të suksesshëm gjatë vitit 2019 duke marrë parasysh sfidat mjaft të vështira që ka hasur, siç ishte ajo e djegies së mandateve nga opozita:
“Është folur shumë për cilësinë e këtij parlamenti, është politizuar shumë. Kemi pasur një ngjarje shumë larg binarëve të demokracisë, si ajo e djegies së mandateve nga opozita dhe si rrjedhojë plotësimin e vendeve nga listat zgjedhore. Për ne nuk ka rëndësi, elokuenca, pamja fizike e një individi që ulet në atë karrige, pasi ai përfaqëson njerëzit dhe e rëndësishme në fund fare është produkti që nxjerr Kuvendi. Sfidat në 2020-ën e bëjnë këtë parlament një nga më të suksesshmit në produktin që ka nxjerrë. Pavarësisht të gjithave, parlamenti ka marrë nisma shumë të rëndësishme dhe ka miratuar ligje që do ndihmojnë në perspektivën e vendit.
Sipas z.Pëllumbit legjislatura e këtij viti që përkon edhe me 100 vjetorin e veprimtarisë së Kuvendit do të jetë mjaft e rëndësishme dhe ku do të trajtohen disa reforma shumë të rëndësishme për vendin:
“Ka një sërë çështjesh të ngjeshura dhe do të jetë një legjislaturë e rëndësishme. Do të mbyllim Reformën në Drejtësi dhe sot ne morëm një nga vendimet e fundit rreth kësaj çështje duke miratuar kryetarin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Kemi përpara Samitin e Zagrebit, për të cilin ne po përgatitemi, duke përmbushur detyrat që Komisioni Europian na i ka caktuar. ”
“Në tetor të këtij viti ne nuk morëm përgjigje, as pozitive dhe as negative. Morëm një po nga Gjermania me disa detyra kryesore, që ne duhet t’i plotësojmë. Tashmë ne presim takimin e marsit në Zagreb. Gjykata Kushtetuese po fillon të funksionojë. Kemi në fokus Reformën Zgjedhore. Kjo reformë do tregojë pjekurinë dhe konsensusin, që ne duhet të gjejmë midis palëve.”
Pyetur nga moderatori Civici se cilat janë disa prej pikave që po diskutohen dhe produktin që një nga çështjet më të diskutuara si ajo e Reformës Zgjedhore pritet të prodhojë, deputeti Pëllumbi i është përgjigjur se momentalisht janë tre fokuse kryesore ku përfshihet depolitizimi, transparenca e financimeve të partive dhe votimi elektronik:
“Pavarësisht faktit se çfarë sistemi do të kemi, unë nuk e shoh këtu problemin, pasi në çdo sistem kemi pasur të pakënaqur. Ne duhet të edukohemi me idenë e të qënurit demokratë brenda vetes. Duhet të shkojmë në zgjedhje dhe të paraqesim platformat tona si dhe të respektojmë fituesit, në rastin e humbjes. Duhet hequr mentaliteti i vendosjes së shkopinjve nën rrota qeverisë sa herë që ndodhemi në opozitë.”
“Në tre zgjedhjet e fundit kemi pasur disa rekomandime nga OSBE-ODIHR, por jemi ne ata që duhet të emancipohemi. Një nga gjërat që po diskutohet është depolitizimi i procesit, për ta bërë të pavarur nga partitë politike, duke ia lënë në dorë administratës. Njerëzit do certifikohen nga KQZ-ja. Shumica e njerëzve kanë një përkatësi politike, por duhet që nëse e ndërmarrim këtë hap shqiptarët të vendosin mbi vete sensin e qytetarisë.
Gjithashtu po fokusohemi të çojmë një hap më përpara edhe transparencën e financimit të partive politike. Do të shikojmë mundësinë e një votimi elektronik. Ne, në Partinë Socialiste e kemi provuar në zgjedhjet brenda anëtarësisë sonë, por duhen parë ende efektet në një zgjedhje kombëtare.” – u shpreh z.Pëllumbi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.