Argument- Shkaqet e rënies në “Doing Business” sipas ekspertëve
Në emisionin “Argument” të së enjtes nga Enio Civici u diskutua për humbjen me 19 vende të renditjes së Shqipërisë në raportin e Doing Business. Në panel Selami Xhepa, Pajtim Melani, Gent Beqiri dhe Dorjan Teliti diskutuan mbi këtë raport.
Sa i përket faktorëve që mund të kenë ndikuar në këtë përkeqësim të situates, Gent Beqiri u shpreh se një pjesë e përkeqësimit vjen si pasojë e moslidhjes së shumë hallkave të shtetit. “Bashkimi i ministrive është një element i rëndësishëm i kësaj pasqyre. Sigurisht që është edhe një reflektim i ngjarjeve politike në vend” tha Beqiri.
Nga ana tjetër, Selami Xhepa u shpreh se klima e vendit për të bërë biznes vihet re jo vetëm tek raporti i DB por edhe raporte të tjera si konkurueshmërisë, lehtësia e pagesës së taksave, etj. Sipas Xhepës, një tjetër faktor që ka ndikuar ka qenë edhe vështirësia dhe pengesat për marrjen e lejeve.
Për përfaqësuesin e PD-së, Dorjan Teliti vazhdojmë të jemi të parafundit në rajon. Gjatë këtyre 3 viteve të fundit kemi një stok të ndërtimeve, deklaroi Teliti, duke shtuar se kemi mungesë të politikave ekonomike në vend dhe nuk kemi vëmendjen e duhur ndaj ekonomisë.
“DB është një nga treguesit ku çdo investitor vendas ose i huaj e shikon këtë indikator përpara sesa të vendosë të investojë në Shqipëri” tha eksperti i ekonomisë, Pajtim Melani. Ai theksoi gjithashtu faktin se pjesa më e madhe e treguesve për vitin 2019 kanë qenë negative për Shqipërinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.