Ari “tërhiqet” në tregtinë e së Martës / Bie nga niveli më i lartë në 2 muaj prej fuqizimit të dollarit
Ari u tërhoq nga niveli më i lartë në 2 muaj në sesionin e së Martës, ndërkohë që fuqizimi i dollarit pengoi metalin e çmuar dhe investitorët spekuluan se rimëkëmbja më e shpejtë e ekonomisë amerikane mund të nxisë një rritje të interesave. Norma spot e arit ra me 0.4% në 1,786.1 dollarë për onz, pasi shënoi nivelin më të lartë që prej 25 Shkurtit prej 1,797.75 dollarë ditën e Hënë. Analistët thonë se dollari i fortë është arsyeja kryesore për korrigjimin e metalit të çmuar. Indeksi i dollarit, që mat performancën e valutës ndaj shportës rivale, u rrit me 0.3%, duke e bërë arin më pak të tërheqshëm për mbajtësit e valutave të huaja. Kryetari i Rezervës Federale në SHBA, Jerome Powell, tha në nisje të Javës se ekonomia po performon më mirë se ç’pritej, por shtoi se vendi nuk ka dalë ende nga kriza.
Banka Qendrore kërkon të mbajë politikat monetare të lehtësuara për të ardhmen e afërt, por rimëkëmbja e fortë ekonomike ka shtuar spekulimet për një tërheqje të suportit më herët se ç’pritet. Interesat e larta rrisin koston oportune të mbajtjes së arit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.