Ari tregtohet i qëndrueshëm / Mbështetet nga komentet e Powell për normën e interesit
Ari është tregtuar i qëndrueshëm në sesionin e së Mërkurës, pasi kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, premtoi se do të mbajë interesat pranë zeros për disa kohë, ç’ka solli rënien e dollarit. Norma spot e arit u rrit me 0.2% në 1,782.46 dollarë për onz. Ari zakonisht vlerësohet prej pritshmërive të interesave të ulëta, që ulin koston oportune të mbajtjes së metalit. Javën e kaluar, ari ra me 6% pasi banka qendrore sinjalizoi rritje të interesave në vitin 2023. Kryetari i sistemit bankar qendror në SHBA, tha se nuk do të rritet norma bazë e interesit vetëm prej frikës së inflacionit. Indeksi i dollarit u tërhoq nga niveli më i lartë në 2 muaj që preku javën e kaluar, duke e bërë arin më të lirë për mbajtësit e valutave të tjera. Megjithatë, tregu i arit mund të jetë nën presion, pasi banka qendrore do të nisë të bisedojë mbi reduktimin e programit të blerjes së titujve të borxhit.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.